Arbëri

Malisheva do t’i mbulojë shpenzimet për varrime

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka marrë vendim që pushteti komunal të vazhdojë mbulimin e shpenzimeve të varrimit për gjithë familjarët që kanë raste vdekjeje në këtë komunë.

Kështu ka bërë të ditur pas një takimi që ka pasur me Këshillin e Bashkësisë Islame në Malishevë, të prirë nga kreu i saj, Sead Paçarizi.

Në këtë takim, sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Malishevës, Kastrati, është zotuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me KBI në Malishevë.

“Si kryetar i Malishevës, pa humbur kohë do të angazhohem në funksion të vazhdimit të marrëveshjes për mbulimin e shpenzimeve për shërbimet e varrimit të personave të cilët varrosen në territorin e komunës së Malishevës, si dhe për çështje tjera me interes për qytetarët tanë dhe Malishevën në përgjithësi”, është zotuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati pas takimit me krerët e BIK-dega në Malishevë.

Kreu i degës së KBI, hoxha Sead Paçarizi, e ka uruar Kastratin për detyrën e kryetarit, dhe e ka falënderuar Komunën për bashkëpunimin e ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë e KBI-së për angazhimin maksimal për çdo gjë është e nevojshme, në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës.