Njësia e “Ecorgjionit” në Malishevë e ka nevojë jetike një pikë transferi të mbeturinave, por nuk po arrin ta sigurojë atë. Kështu ka thënë për KOHËN, Sejdi Paçarizi, përgjegjës i kësaj njësie. Një pikë transferi e ka pasur më herët kjo njësi në afërsi të selisë së saj në periferi të Malishevës, por atë e ka ndaluar inspektorati dhe tash e sa kohë njësia e “Ecoregjionit” detyrohet që çdo ditë t'i transportojë mbeturinat për në pikën kryesore në Landovicë.
“Po detyrohemi t’i dërgojmë mbeturinat çdo ditë në Landovicë dhe kjo po sjell shpenzime enorme në karburante si dhe amortizimin e automjeteve”, ka shfaqur brengën e tij Paçarizi.
Ai ka bërë me dije se së bashku me një organizatë japoneze kanë hulumtuar më herët disa pika si të përshtatshme për pikë transferi, por nuk kanë arritur të vendosin diçka. Një vendim ishte marrë në fakt për vendosjen e një pike transferi në periferi të fshatit Drenoc, por Kuvendi Komunal kishte votuar kundër kësaj dhe vendimi nuk ishte realizuar.
Paçarizi i ka përmendur si pika të përshtatshme veç asaj në Drenoc edhe një lokacion ndërmjet Malishevës dhe Dragobilit dhe një tjetër në afërsi të Banjës. Ai ka tërhequr vëmendjen se pika e transferit nuk ka ndonjë ndikim negativ në ambientin e lokalitetit ku vendoset pasi ai ka thënë se në vendin e caktuar vendosen kontejnerë të mëdhenj, ku bëhet ngjeshja e mbeturinave dhe evitohet dëmtimi i ambientit. Por për vetëdijesimin e qytetarëve rreth kësaj, sipas tij, duhen fushata vetëdijesuese nga institucionet.
Kryetari i fshatit Banjë, Muhamet Begaj ka thënë për KOHËN se nuk është në dijeni për ndonjë vend të mundshëm për pikë transferi të mbeturinave në këtë lokalitet apo afër diku, por ka theksuar se në rast të propozimit të tillë vendimin do ta marrë kryesia e fshatit.
Njëri nga anëtarët e kryesisë së fshatit Dragobil në kushte anonimiteti ka thënë se është kundër vendosjes së pikës së trasferit në afërsi të këtij lokaliteti pasi sipas tij kjo do të ndikonte negativisht në ambientin përreth.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë për KOHËN se është i njoftuar për nevojën e domosdoshme të njësisë së “Ecoregjionit” për një pikë transferi të mbeturinave.
“Jemi përpjekur edhe në të kaluarën por kemi hasur në vështirësi, herë kanë kundërshtuar qytetarët, por edhe Kuvendi Komunal nuk ka gjetur pajtueshmëri”, ka sqaruar Berisha. “Në mandatin e ri patjetër duhet dhe do të gjejmë një zgjidhje”.