Arbëri

Të miturit në burgun e Lipjanit bëjnë film të shkurtër për vetëdijesimin e narkotikëve

Të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan së bashku me stafin të përkrahur nga UNICEF-i dhe “Ipko-fondacion” kanë nisur implementimin e një filmi të shkurtër i cili bazohej në një ngjarje e cila i kishte ndodhur një të mituri që merrej me drogë.

Filmi ka për qëllim parandalimin e të miturve të cilët merren me lloje të ndryshme të narkotikëve, andaj premiera e parë e filmit pritet të publikohej gjatë muajit dhjetor.

Shpendim Sadiku, punëtor social në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ka thënë për KOHEN se në vazhdën e aktiviteteve për të miturit, janë duke tentuar se përveç vetëdijesimit të tyre të punojmë edhe në parandalimin e narkotikëve, pikërisht në pasojat që krijojnë narkotikët.

“Në vazhdën e saj kemi bërë një skenar të një filmi të shkurtër ku paraqet historinë e një të mituri apo të riu i cili bie pre e një dileri apo mashtruesi dhe mandej bie viktimë dhe fillon të përdor narkotik dhe krijon vartësinë. Pas e gjithë kësaj arrestohet dhe vendoset në burg, mandej fillon edhe koha kur ai ndihet shumë keq, ndihet i vetmuar dhe ku mbet pa substanca narkotike pastaj bie në depresion”, ka shpjeguar Sadiku.

Ai tregon se kjo ka qenë ide e cila ka rrjedhur prej të miturve.

“Ne si institucion e kemi fituar një projekt prej ‘Ipko-fondacion’ në bashkëpunim me UNICEF-in dhe qëllimi ka qenë aktivizimi i të rinjve për evokimin e të drejtave të tyre dhe në kuadër të këtij projekti ka lindur edhe ideja që ta bëjmë një film vetëdijesues mbi pasojat e narkotikëve. Filmi do të përfundoi së shpejti, po planifikojmë që gjatë muajit dhjetorë edhe të jepet premiera e parë kështu që është një bashkëpunim i shumë profesionistëve të qendrës sonë të cilët kanë dhënë një kontribut të çmueshëm”, ka shtuar ai.