Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se ai është në çdo kohë në shërbim të qytetarëve të kësaj komune. Madje, ai shton se nuk ka rëndësi orari, pasi është gjithmonë në terren. Muharremaj e konsideron Suharekën si komunën më të pastër në Kosovë.
Muharremaj fitoi mandatin e dytë si kryetar i Suharekës në zgjedhjet e 17 tetorit, duke fituar pa balotazh, gjë që nuk e kishte bërë askush në këtë komunë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ai thotë se mandatin e fitoi me punë dhe angazhim 24 orë në terren.
“Besoj që kemi fituar me punë, kjo fitore i dedikohet të gjithë qytetarëve në Suharekë. Është e vështirë të fitohet në Suharekë pa balotazh, por i kemi bindur me punë dhe angazhim 24 orë terren. Kjo nuk është fitore e imja, por e qytetarëve. Nuk e di çka është me dal në punë 8:00. Dal në punë në 07:30, dal në terren një herë, pastaj shkoj në zyrë. Nuk dal nga puna asnjëherë në orën 16. Herë në 18, herë në 19, herë në 20. Nuk e di a është e shtunë apo e diel, a është ora mesnatë apo mëngjes, unë vazhdimisht jam në terren. Unë jam aty ku qytetari ka nevojë. Ma merr menja që komunë më të pastër nuk ka. Nuk jam i kënaqur deri kur edhe në viset malore nuk do të ketë asnjë mbeturinë, por punojmë që një gjë e tillë të ndodhë”, deklaroi Muharremaj në emisionin “SOT” të KTV-së.
Kryetari i Suharekës tha se prioritetet për katër vitet e ardhshme do të jenë përmirësimi i infrastrukturës, cilësia më e mirë në arsim, një shëndetësi e ambient më i mirë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, pasi sipas tij, komuna në të cilën udhëheq ka njerëz më të shkolluar për kokë banori.
“Tani kemi aprovuar planin zhvillimor. Është një Kushtetutë për komunën tonë që na ka dhënë një drejtim për nëntë vitet e ardhshme. Nuk kemi me u ndal për me përmirësu infrastrukturën, cilësinë në arsim, një shëndetësi më të mirë, në ambient, në hapjen e vendeve të reja pune. Këto janë prioritetet tona për katër vjet. Ne e kemi obligim të krijojmë kushte më të mira për nxënësit. Nëse e marrim me mesatare për kokë banori, Suhareka ka njerëz më të shkolluar që po presin për punë. Kemi planifikuar ndërtimin e dy zonave ekonomike, në Biraq dhe një në Shirokë. Besoj se do të ketë edhe 1.500 vende të reja pune”, tha ai.