Arbëri

Të rinjtë në burgun e Lipjanit marrin zanate të ndryshme

Descriptive Text

Dhjetëra të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan po marrin zanate të ndryshme, gjatë kohës sa e vuajnë dënimin.

Përveç mësimit të rregullt, ata po mësojnë edhe në drejtimet teknike në ndërtimtari, elektro, ujë-instalues e të tjera.

Shumë prej tyre certifikohen edhe me diploma adekuate për punë të tilla profesionale.

Abaz Buja, koordinator i Arsimit në Qendrën Korrektuese në Lipjan, thotë se qendra për aftësim profesional po ndikon mjaft shumë në socializmin dhe vetëdijesimin e të miturve.

“Trajnimet kryhen në tri drejtime, elektro-instalues, ujë-instalues dhe ndërtimtari, po them, sepse kjo është një prej veprimtarive që të miturit më së shumti e adhurojnë, për arsye se me certifikatat të cilat këta i marrin këtu, shumë lehtë e gjejnë veten jashtë kur të dalin, gjejnë vende të punës, kështu që kjo ju ndihmon në risocializimin e tyre”, ka thënë Buja.

Ndërkaq, Afrim Dulla, instruktor i ndërtimtarisë ne Qendrën Korrektuese në Lipjan tregon edhe për përvojat e fituara nga të miturit në këtë qendër.

“Ka pasur raste që na u janë lajmëruar dhe e kane hapur firmën me certifikatën që e kanë marrë në qendrën tonë, sidomos në elektro i kemi 3-4 ish të dënuar që kanë firma private, e kanë gjetur veten dhe nuk i kanë përsëritur veprat të cilat i kanë pasur më herët”, ka thënë Dulla.

Njërin nga këto zanate prej disa muajsh po e merr edhe L.ZH, i cili tashmë i ka mbushur 18 vjet.

“Unë jam në trajnimin për moler dhe teknologji informatikë, trajnimet jam duke i ndjekur rregullisht, pak kam kuptuar edhe në të kaluarën për informatikë, kurse për moler është hera e parë në jetën time që merrem me këtë zanat, por po më pëlqen dhe mendoj se në të ardhmen më duhet”, ka thënë ai.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë të burgosur rreth 40 të mitur, ndërkohë shumica prej tyre ndjekin zanate të tilla dhe programe të veçanta vetëdijesuese.