Arbëri

28 nëntori në Shtime shënohet me ngritjen e shtatores së komandantit Adem Jashari

Festa e 28 Nëntorit në komunën e Shtimes është shënuar me përurimin e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në qendër të qytetit.

Në një fjalë rasti kryetari në detyrë i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se për Ditën e Flamurit dhe ditën e ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jashari po promovojnë shtatoren në qendër të qytetit.

“Sikur e gjithë Kosova dhe populli shqiptar edhe komuna e Shtimes ndër vite e dekada kaloi me sakrificë, me dhembje, me derdhje gjaku e në fund me luftën e UÇK-së u kurorëzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, në këto ditë të veçanta kur përurojnë shtatore, monumente si ky i komandantit Adem Jashari dhe i ushtarëve të tij dhe prestarëve të UÇK-së, sigurisht që duhet të kthehet kujtesa mbrapa, jo vetëm për 22 vjet por edhe me dekada e shekuj.

“Populli deri te arritja e lirisë pati një rrugëtim të gjatë e të vështirë me plot sakrifica ku shumë shqiptar e paguan edhe me gjak, prandaj e gjithë ne që sot frymojmë lirshëm në vendin tonë e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën, respektin dhe gjithsesi atë që duhet ta mbajmë mend t’i respektojmë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti dhe themeli mbi të cilat po ngritet shteti ynë, Republika e Kosovës”, ka thënë Ismajli.