Dy kandidatët që do të garojnë për të parin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bëjnë koalicion para balotazhit me partitë tjera që nuk kanë kaluar në rrethin e dytë të votimit. Të dy kanë thënë se koalicion kanë bërë me qytetarin.
“Ne kemi koalicion me qytetarët që janë për ndryshimin e keqqeverisjes. Ne në vazhdimësi po i bëjmë thirrje qytetarëve të Obiliqit bashkë me subjektet politike që të na bashkohen për ta bërë ndryshimin. Kësaj here ne kishim fatin të hyjmë në balotazh, por ne edhe po të mos ishim në balotazh, do ta përkrahnim çdo subjekt tjetër politik që është për ndryshimin e kësaj keqqeverisje”, është shprehur Halil Thaçi.
Edhe kandidati i Iniciativës Qytetare për Obiliqin, Xhafer Gashi, i cili në dy palë zgjedhje (2013 e 2017) ka fituar nën siglën e AAK-së, ka thënë se nuk kanë bërë koalicion me ndonjë subjekt opozitar.
“Koalicionin e vetëm e kemi me qytetarët e Obiliqit dhe për qytetarët e Obiliqit. Bashkë me qytetarët, me besimin e tyre do të jemi të parët më 14 nëntor”, është shprehur Gashi.
Ndërkohë, Halil Thaçi ka akuzuar pushtetin e tanishëm në Obiliq që udhëhiqet nga Gashi se po i përdor asestet komunale për fushatë elektorale.
“Sot jemi në garë për balotazh ku as unë e as rivali im nuk jemi kryetar komune aktualisht. Ai është një kryetar në detyrë, por po e shfrytëzon të gjithë potencialin e Komunës për të na luftuar, duke u nisur nga veturat zyrtare, subvencionet, asfaltimi i rrugëve, shtrimi me zhavorr i rrugëve e krejt këto po i bën pa planifikim paraprak”, ka theksuar kandidati i Vetëvendosjes në Obiliq. “Unë u bëj thirrje qytetarëve të Komunës së Obiliqit të mos bien pre e mashtruesit, i cili vetëm në kohë fushate ka intensifikuar punimet. Ju garantoj qytetarëve të Obiliqit se nëse unë udhëheq me Komunën e Obiliqit për 4 vite, pas fillimit të fushatës zgjedhore, do të thotë një muaj të fushatës nuk do të ketë punime në projekte të tilla e as subvencione në kohë fushate, sepse duam ta bëjmë një garë fer”.
Por, këtë e ka mohuar Xafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.
“Këto akuza janë puro politike dhe të pabaza. Projektet duhet të realizohen në të mirën e qytetarëve sipas planeve të tyre dinamike, qoftë a jemi apo nuk jemi në fushatë”, ka thënë ai.
Në rrethin e parë të votimeve më 17 tetor, Xhafer Gashi ka marrë 5 mijë e 975 vota ose 48.12 për qind, ndërsa Halil Thaçi ka marrë 2 mijë e 507 vota ose 20.19 për qind. Që nga viti 2007, fituesi në Obiliq gjithnjë është përcaktuar në rrethin e dytë të votimit, pra në balotazh.