Kastriot Berisha, kandidati i AAK-së për kryetar të Malishevës e ka bërë publike sot marrëveshjen që e nënshkroi një ditë më parë me kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Isni Kilajn.
Sipas marrëveshjes së publikuar në emër të transparencës nga Berisha, palët janë dakorduar që në rast të fitores së kandidatit të PDK-së, AAK-ja do të marrë Drejtorinë e Bujqësisë dhe një drejtori për të cilën ende nuk është vendosur se cilën.
Një dakordim tjetër është se në rast se ndonjëri nga zyrtarët i cili merr pozitë të lartë bie ndesh me ligjin, apo me marrëveshjen për bashkëqeverisje, do të pezullohet, ndërkohë që i përzgjedhuri që e zëvendëson sërish do të jetë nga e njëjta parti.
Ndërkohë që marrëveshja për koalicion me PDK-në është nënshkruar, sot kryetari i degës së AAK-së në Malishevë, Fatmir Shurdhaj, është deklaruar publikisht se nuk e mbështet marrëveshjen e arritur.
Kandidati i AAK-së për kryetar në Malishevë, Kastriot Berisha, është radhitur i katërti në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar në Malishevë me 4.30 për qind të votave ndërkaq AAK-ja si parti, po ashtu e katërta me 5.04 përqind.
Në balotazh, Kilaj përballet me Ekrem Kastratin e Nismës që doli si i pari në raundin e parë.
