2 perditesime
23:22

Premtimet e Shehut për Junikun: Qendër turistike e shtigje të skijimit

Ruzhdi Shehu, kandidat i LDK-së për kryetar të Junikut, ka thënë se vendim i parë i tij nëse merr mandatin që synon më 14 nëntor, kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, do të jetë formimi i një ekipi me ekspertë dhe struktura tjera të komunës për luftimin dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Shehu që kundërkandidat në balotazh ka kryetarin aktual e që vjen nga AAK-ja, Agron Kuçi, ka premtuar se Juniku do të zhvillohet falë një plani ambicioz për zhvillimin e turizmit.

Ka folur edhe për ndërtimet pa leje në bjeshkët e Junikut, e që sipas tij, do të ndalen dhe ato që janë do të kenë mundësinë të legalizohen.

“Në përputhje me standardet kemi paraparë zhvillimin e turizmit, kemi shumë projekte, si hapjen e shtigjeve, asfaltimin e rrugëve, do të kemi studim të fizibilitetit për ndërtimin e qendrës turistike ku do të përfshihet edhe pjesa e gastronomisë e të tjera si dhe është e përshtatshme ndërtimi i shtigjeve të skijimit. Është ambient i mirë për investime në turizëm veror dhe dimëror. Do të inkurajojmë mërgatën e madhe të Junikut për investime, por edhe investitorë të tjerë të jashtëm”, ka thënë Shehu.

Juniku si komunë ka vetëm dy fshatra. Për to Shehu ka premtuar rrugë, kanalizime dhe elektrifikim.

23:12

Shehu: Po tentohet të mohohet vullneti i qytetarëve të Junikut

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka thënë se kundërkandidati i tij në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së do të vazhdojë të tentojë të bëjë manipulime e të dhunohet vullneti i qytetarëve.

Por, Shehu thotë se qytetarët e Junikut kanë vendosur tashmë për të bërë ndryshimin në këtë komunë.

“Frikë nuk kam. Por veprimet e tyre nuk do të ndalen, do të tentojnë të marrin e të dhunojnë vullneti ne qytetarëve të Junikut. Qytetarët kanë vendosur tashmë të bëjnë ndryshimin në Junik. Si parti politike e parë dhe unë si kandidat për kryetar komune, kemi bashkuar forcat me opozitën e deritanishme dhe po garojmë tash bashkërisht që vullneti i qytetarëve të mos dëmtohet, por të bëhet ndryshimi i shumëpritur dhe i nevojshëm në komunë”, ka thënë Shehu në Interaktiv të KTV-së.

23:06

Shehu: Në Junik ka pasur manipulime të votave në raundin e parë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhi Shehu, beson se në raundin e parë të zgjedhjeve është dëmtuar ai dhe partia e tij, nga partia në pushtet në këtë komunë, AAK-ja.

Teksa ka folur për dyshimet për manipulime të votave dhe për zyrtaren e Komunës së Junikut, që u zu në aeroport me fletëvotime, tha se janë dëmtuar edhe me votat nga diaspora.

“Unë kam bindjen se edhe në raundin e parë janë manipuluar votat, rreth 200 vota janë shpallur si të pavlefshme dhe kjo ka ndikuar në rezultat”, ka thënë Shehu në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Në raundin e dytë, në balotazh do të jetë përball kandidatit të AAK-së, njëkohësisht edhe kryetar aktual i Junikut, Agron Kuçi.

Kuçi po kërkon mandatin e katërt.