Arbëri

Vetëm 8 gjakovarë u vaksinuan nga ekipi mobil

Vetëm 8 qytetarë të Gjakovës kanë ndaluar të enjten në tendën e ekipit mobil të vendosur skaj parkut të qytetit në sheshin “Nëna Terezë”, për të marrë vaksinën anti-COVID. Dy ekipe me nga një mjek e tre infermierë në dy ndërrime, kanë punuar nga ora 10:00-17:30 duke pritur të paraqiten qytetarë për vaksinim, në përpjekje për rritjen e numrit të të vaksinuarve në këtë komunë.

“Sot dhe nesër, në parkun në qendër të qytetit, do të ofrohet vaksinimi për të gjithë qytetarët nga ekipet mobile të vaksinimit. Mbroje veten dhe të tjerët. Vaksinohu”, ka njoftuar dhe ka bërë thirrje për këta Komuna e Gjakovës sot në mëngjes.

Qytetarët që duan të vaksinohen nuk kanë nevojë për termine.

Nxjerrja e ekipeve mobile nëpër sheshet e qyteteve kryesore të Kosovës është bërë në përpjekje për të rritur numrin e të vaksinuarve i cili ka rënë ndjeshëm.

Këtë e dëshmojnë të dhënat statistikore.

Dje në Gjakovë siç ka njoftuar për KOHËN drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Afërdita Spahiu-Shllaku janë administruar 216 vaksina në total, ndërkaq doza e parë është administruar vetëm në 24 raste. Drejtoresha Spahiu-Shllaku ka njoftuar të enjten se numri i përgjithshëm i vaksinave të administruara në Gjakovë është 93 mijë e 319 doza, nga të cilat 44 mijë e 867 janë doza të dyta dhe 48 mijë e 452 doza të para.