Arbëri

Rreth 50 persona po testohen për COVID-19 çdo ditë në Pejë

Descriptive Text

Tashmë kur situata me pandeminë COVID-19 është e qetë në gjithë vendin, situatë stabile është edhe në komunën e Pejës. Ndërsa, në këtë komunë tashmë testimet për COVID-19 po mundësohen në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, brenda ditës deri në 50 testime po realizohen.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori për Shëndetësi në komunën e Pejës, Petrit Loci, i cili po ashtu u shpreh se pacientët e paktë në numër që janë aktiv me koronavirus, shërbimet po i marrin në shtëpitë e tyre përmes ekipeve mobile të Qendrave të Mjekësisë Familjare.

“Numri i testimeve nuk ka rënë shumë për vetë faktin që pacientët tashmë edhe për një simptomë më të vogël preferojnë të testohen gjithashtu edhe mjekët familjarë për çështje sigurie i rekomandojnë pacientët në bazë të dyshimeve dhe simptomatologjisë që të bëjnë testimin. Ne testimin e kemi shtrirë pothuajse në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe çdo ditë raportohen rastet qoftë negative apo rast i mundshëm pozitiv, ku çdo ditë testohen afërsisht 50 persona”, theksoi ai.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Pejës, Petrit Loci, ka treguar se ka mungesë në furnizimet me material shpenzues dhe barna nga lista esenciale, por këto mungesa po i mbulojnë me mjetet vetanake.

Loci po ashtu tha se terapia tabletare blihet nga vetë pacientët, ndërsa ata synojnë që terapinë ampulare ta sigurojnë për pacientët.

“Furnizimet nuk janë edhe aq të mira kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht të keqe në muajt e kaluar tani kemi një stabilizim të momentin sa i përket furnizimit me insulina, ndërsa sa i përket furnizimit me material shpenzues nga lista esenciale pasi që shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha që kanë qenë edhe më të mëdha. Kemi mungesa por të gjitha mungesat që kemi nga lista esenciale ne si komunë kemi ndarë një shumë nga buxheti për vitin aktual ku furnizohemi në bazë të nevojave që i kemi nga mjete vetanake të QMF dhe AMF me terapi dhe material shpenzues. Blerja e terapisë normalisht terapia tabletare pothuajse e tëra blihet nga ana e qytetarëve por ne jemi të përkushtuar që terapinë ampulare që e ofrojmë në QMF t’u shërbejmë pacientëve tanë“, u shpreh ai.

Në Komunën e Pejës prej fillimit të procesit të vaksinimit kundër COVID-19 e deri sot janë imunizuar 88 mijë qytetarë./ KP