Kosovë

Pjesët e larta të Prizrenit përballen me presion të ulët në furnizimin me ujë

 

Drejtuesit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren pohojnë se furnizimi me ujë në këtë komunë është i mirë, megjithëse pranojnë se në pjesët e larta të qytetit mund të ketë presion më të ulët. Sipas tyre, një gjë e tillë vjen si pasojë e rënies së nivelit të ujit në burimet, të cilat mundësojnë furnizimin me rënie të lirë. Ndërkohë, kjo kompani nuk përjashton edhe mundësinë e reduktimeve të pjesshme në rast të mungesës së reshjeve atmosferike.

Banorë të lagjeve të ndryshme në Prizren kanë shprehur shqetësimin lidhur me furnizimin me ujë të pijes gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, edhe nëse ka ujë, presioni është i ulët, që pamundëson funksionimin normal të amvisërive.