Arbëri

Njëra drejtori e Pejës lejon hyrjen e automjeteve në shesh, tjetra kërkon revokim të tyre

Pavarësisht deklarimeve se në pjesën qendrore të sheshit “Skënderbeu” në Pejë do të ndalohet frekuentimi i veturave pas rindërtimit, një gjë e tillë nuk po respektohet. Ende mungon një vendim i prerë zyrtar për këtë çështje. Pas përfundimit të punimeve, që arkës komunale i kushtuan mbi 500 mijë euro, në fund të sheshit janë vendosur kubëza nga betoni për të pamundësuar hyrjen në shesh.

Në vitin 2019 kur nisën punimet, nga Komuna u deklaruan se do të ndalet frekuentimi i automjeteve. Megjithatë, në këtë shesh po shihen ende vetura që hyjnë. Në njërin skaj është larguar një kubëz betoni duke krijuar hapësirë të mjaftueshme për të hyrë me vetura.

Hyrja e automjeteve në shesh po lejohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, e cila në skaj të sheshit ka vendosur shenjën e ndalimit të qarkullimit në të dyja kahet, por ndër shenjë është një tabelë me shkrimin “Përveç automjeteve të autorizuara”.

Image

Për lejimin e hyrjes së automjeteve në shesh, KOHA ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Një zyrtar brenda kësaj drejtorie, pa dashur t’i publikohet emri, u shpreh se kjo Drejtori po lëshon leje për hyrjen dhe kalimin e automjeteve nëpër shesh për banorët që hyrjen në banesa e kanë nga sheshi dhe lokaleve për vetëfurnizim.

“Nuk kam njohuri se është ndaluar apo jo, sepse nuk ka ndonjë vendim për ndalimin e hyrjes së automjeteve në shesh, por ka goxha njerëz që kanë marrë leje të hyrjes. Ne kemi lëshuar leje si Drejtori me kalu me automjete aty. Bëhet kërkesa dhe ne i lejojmë nëse janë banorë të zonës dhe lokaleve. Lejen e japim në bazë të rregullores komunale”, u shpreh ky zyrtar në Drejtorinë për Shërbime Publike.

Këto leje, sipas këtij zyrtari, nuk lejojnë parkimin e automjeteve në shesh e as hyrjen e automjeteve me pesha të mëdha. Megjithatë në shesh shihen duke hyrë edhe autocisterna të derivateve.

“Mund të ketë ndodh që ka hy ndonjë cisternë me mbush derivate për ngrohje në ndonjë objekt aty që gjendet. Por nuk kemi pas kërkesa për t’u lejuar hyrja e cisternave”, ka thënë ky zyrtar në këtë drejtori.

Mirëpo, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, i cili prej që kishte filluar realizimi i projektit për rindërtimin e sheshit, pati deklaruar se do të ndalohet hyrja e automjeteve në shesh pasi të përfundojë rindërtimi i sheshit, ka përsëritur deklaratën e tij.

“Unë prapë mbes prapa asaj që kam thënë kur ka filluar sheshi të ndërtohet, se duhet të bllokohet hyrja në shesh për gjitha llojet e automjeteve. Askund në botë nuk ka që në shesh të hyhet me automjete. Ato leje që i ka lëshuar Drejtoria e Shërbimeve Publike duhet të revokohen. Do të flasim edhe me kryetarin për këtë çështje që ato leje të revokohen dhe të mos lejohet më asnjë lloj automjeti të futet në shesh”, u shpreh Abazaj.

Abazaj ka thënë se në vend të kubëzave të betonit do të vendosen pengesa që s’mund t’i lëvizë askush.

“Në momentin që ndalohet hyrja në atë shesh me ndonjë vendim të komunës, atëherë kompetencat bien mbi Policinë, e cila duhet t’i ndalojë apo gjobisë ata që hyjnë në shesh. Kjo do të ishte barrë për policinë, e cila nuk mund të rrijë 24 orë aty në shesh duke ruajtur”, ka thënë tutje Abazaj.

Sheshi i qytetit të Pejës me mbi tetë mijë metra katrorë, para kësaj here, është rindërtuar herën e fundit në vitin 2011 me një projekt në vlerë prej 300 mijë euro, të bashkëfinancuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, UN HABITAT-it dhe organizata suedeze SIDA.

Mirëpo, pllakat e mermerta me trashësi prej 3 centimetra, të destinuara vetëm për këmbësorë, janë dëmtuar pas një kohë shumë të shkurtë për shkak të frekuentimit të vazhdueshëm të automjeteve në shesh.

Image