Lista e Pavarur – Bekim Jashari gjobitet me 1800 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore
Kryetari aktual i Skenderajt është gjobitur me 1800 euro për shkak të shkeljes së heshtjes zgjedhore në rrjetet sociale.
“Subjektit politik Lista e Pavarur – Bekim Jashari, me seli në komunën e Skenderajt, i shqiptohet dënim me gjobë në lartësi prej 1800 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, em rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Subjekti politik i Jasharit detyrohet që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditësh.
Ankesa ishte paraqitur nga PDK-ja, që ka thënë se kandidatë për asamble komunale dhe aktivistë të këtij subjekti kanë bërë postime dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Facebook, ku shihet numri i subjektit dhe kandidatëve.