Arbëri

Muhaxheri s’e përjashton vazhdimin e koalicionit me PDK-në në Pejë

Descriptive Text

Gazmend Muhaxheri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që fitoi mandatin e tretë për të udhëhequr me Komunën e Pejës, s’e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojë koalicionin me PDK-në në këtë komunë.

Muhaxheri të dielën, në zgjedhjet lokale, mori 60.41 për qind të votave duke fituar dy herë rresht pa balotazh. Sivjet në përqindje pati dhjetë për qind më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017, por numri i votave të fituara është përafërsisht i njëjtë. Sipas rezultateve preliminare ai mori 22 mijë e 778 vota tash, kurse 22 mijë e 14 vota në vitin 2017 ka qenë rezultati përfundimtar.

Mirëpo, LDK-ja si subjekt nuk e ka kaluar 50 për qindëshin për zgjedhjet e Kuvendit Komunal. Me rezultatin preliminar prej 43,37 për qind, që aktualisht i siguron 16 asamblistë, LDK nuk mund të ketë shumicën prej 35 ulësesh në Kuvendin Komunal të Pejës.

Për çka LDK-së i nevojitet koalicioni me ndonjërin prej subjekt përfaqësuara në këtë mandat në Kuvend. Dy mandatet e kaluara LDK-ja ka qeverisur Pejën në koalicion me PDK-në, e cila në zgjedhjet e të dielës ka arritur një përqindje prej 12.83, pothuajse të ngjashme si në zgjedhjet lokale të vitit 2017 me 12.92 për qind. Mandatin e kaluar PDK kishte pesë këshilltarë në Kuvendin Komunal të Pejës. Dhe ky koalicion është i mundshëm edhe në mandatin e tretë, siç thonë në këto dy subjekte.

“Duhet t’i presim rezultatet përfundimtare. Nuk kemi asnjë marrëveshje. Nuk kemi biseduar ende. Tek pasi të konsolidohet asambleja komunale dhe do të shohim si mundemi pastaj me bë qeverinë e re në Pejë. Mundësinë e vazhdimit të koalicionit me PDK-në nuk e përjashtojmë, por duhet me i pa një herë si do të jenë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Pejë për Kuvendin Komunal”, deklaroi për KOHËN kryetari i rizgjedhur i Pejës dhe kryetar i degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxhiri.

Ai ka përjashtuar prerazi çfarëdo mundësie të ndonjë koalicioni me AAK-në apo LVV-në në Pejë.

“Me kundërshtarë nuk bëjmë koalicion. Është mirë ata me mbet në opozitë, se është mirë me pas opozitën e fortë”, ka shtuar Muhaxheri.

Vullnetin për të vazhduar bashkëqeverisjen me LDK-në në Pejë e kanë në degën e PDK-së në këtë komunë. Por siç është shprehur nënkryetari i degës së PDK-së në Pejë, Muhamet Haliti, kryesia e kësaj dege ende nuk ka marrë vendim.

“Do të takohemi për të biseduar për këtë çështje, por vullneti është të vazhdojmë koalicionin me LDK-në. Do t’i hyjmë bisedës me kërkesat tona, që kemi me i pas me siguri dhe nëse pajtohemi, do të vazhdojë koalicioni”, ka thënë Haliti për KOHËN.

Bazuar me rezultatet aktuale, me së paku katër këshilltarë në Kuvend, PDK-ja do t’ia bënte LDK-së shumicën në Kuvend.

Muhaxheri megjithatë shpreson që rezultatet përfundimtare do t’ia bëjnë LDK-së 17 këshilltarë në Kuvendin e Pejës.

17 këshilltarë do t’i krijonin një pozicionim më të mirë në biseda më PDK-në për vazhdimin e koalicionit, pasi LDK para zgjedhjeve ka bërë marrëveshje me subjektin politik boshnjak Iniciativa Boshnjake (BI), e cila sipas rezultateve aktuale, mund ta ketë një këshilltar në Kuvend. Dhe ky këshilltar, siç flet një burim brenda LDK-së, do t’ia krijonte LDK-së shumicën prej 18 këshilltarëve në Kuvend. Por jo një shumicë dërmuese dhe të sigurt, e cila siç thonë brenda PDK-së, krijon siguri vendimarrëse në Kuvend dhe Ekzekutiv.

“I duhet siguria për mbarëvajtje të qeverisjes. Dhe plus ajo që Gazmend Muhaxheri i ka marrë të paktën 4 mijë vota për kryetar nga elektorati i PDK-së”, tregon një burim brenda PDK-së, arsyet pse vazhdimi i koalicionit LDK-PDK është vetëm çështje kohe.

Në këto zgjedhje PDK-ja ka hyrë pa kandidat për kryetar të Komunës, pasi kandidati që kishin, Astrit Ademaj, ka humbur jetën me 8 shtator në një rast të shkëmbimit me armë zjarri. Pas vrasjes së tij, PDK-ja pati vendosur të hyjë në zgjedhjet lokale pa kandidat për kryetar të Pejës.