Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në rrafshin politik, zgjedhjet lokale në komunën të cilën ajo pretendon ta fitojë, janë zgjedhje të cilat sikur në nivelin nacional, synojnë të ndryshojnë një mendësi dhe qeverisje e cila nuk e ka objektivë interesin e përgjithshëm, por interesin e përvetshëm dhe klanet përfituese rreth kryetarit në largim.
Sipas saj, të ndryshosh dhe shkëputësh këto lidhje nuk është e lehtë, ashtu sikur nuk ishte e lehtë të vazhdohet me rizgjedhje pas mandatit të saj të parë si Kryetare e komunës.
“Megjithatë, nuk është e pamundur. Shkëputja e qeverisjes klienteleske dhe rinisja e qeverisjes së hapur, transparente, me plan zhvillimor të qartë e të koordinuar me Qeverinë e Kosovës, është e domosdoshme për Gjakovën dhe atë do t’a arrijmë bashkë me Ju me 14 Nëntor. Për ne bashkë, ky proces u zgjat edhe katër javë tjera, javë këto të rëndësishme për kontaktin dhe komunikimet tona të drejtpërdrejta me secilën dhe secilin nga ju. Të dashur qytetarë të Komunës së Gjakovës, motra dhe vëllezër, unë jam e përcaktuar në këtë rrugëtim sikur asnjëherë më parë. Momentin e kemi ideal për ndryshim përmbajtjesor dhe jo kozmetik, për rikthim të vlerës së mirëfilltë e jo asaj të imponuar nga një grup i individëve, për kthim të shpresës, për barazinë dhe drejtësinë në qeverisjen lokale”, ka thënë ajo.