Arbëri

Auditorët e brendshëm dështojnë në përmbushjen e planit vjetor

Njësitë e auditimit të brendshëm në Fushë-Kosovë dhe Obiliq nuk kanë arritur të përmbushin planin në vitin 2020.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se NJAB në Fushë-Kosovë nuk ka as auditorë të mjaftueshëm siç parashihet me rregullore.

“Sipas planit vjetor të Auditimit të Brendshëm, NJAB kishte planifikuar të kryej pesë auditime për vitin 2020. Por, në gjashtëmujorin e parë nuk kishte kryer asnjë auditim. Pas rishikimit, shkaku i pandemisë COVID-19, plani vjetor ishte reduktuar në tri (3) auditime nga të cilat kishin përfunduar vetëm dy, njëri nga fusha e prokurimit dhe auditimi tjetër ka të bëjë me implementimin e rekomandimeve të dhëna për vitin 2018/2019”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2020.

Nga dy rekomandimet e dhëna në raportet finale të AB-së për vitin 2020, sipas Auditorit asnjëra nuk është zbatuar.

“Sipas zyrtarëve komunal kjo ka ndodhur shkaku i pandemisë COV-19. Megjithatë, në këtë aspekt është vërejtur se mënyra e menaxhimit nga ana e NJAB-së mund të jetë më efikase. Dosjet e raporteve të finalizuara të auditimit nuk përmbanin dëshmi relevante. Numri i stafit në NJAB nuk është në pajtim me Rregullore të NjAB-së që përcakton se OB me buxhet mbi 7 milionë euro të ketë së paku tre auditorë të brendshëm, ndërsa komuna tani ka vetëm dy auditorë”.

Mosrealizimi i planit të auditimit nga NJAB, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, zvogëlon sigurinë në lidhje me funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe se mungesa e aktiviteteve efektive të auditimit të brendshëm mund të ndikojë në vazhdimin e përsëritjes së dobësive në sistemet kyçe të kontrollit të brendshëm dhe menaxhmenti të mos jetë në gjendje të reagojë me kohë për eliminimin e tyre.

ZKA-ja ka gjetur mangësi edhe në funksionin e Komitetit të Auditimit në Fushë-Kosovë. Siç thuhet në raport, gjatë auditimit kanë vërejtur që KA kishte hartuar statutin e tij, kishte mbajtur tri takime prej katër sa kërkoheshin si dhe kishte përgatitur raportin vjetor për vitin 2019 që ishte rekomandim i vitit të kaluar.

“Por, nuk kishte përgatitur raportin vjetor për vitin 2020 i cili duhet të përfshijë informatat për përshtatshmërinë e mjedisit të kontrollit të brendshëm, sistemit të menaxhimit të rrezikut dhe mënyrat e eliminimit të tyre, përshtatshmërinë e menaxhimit të sistemit financiar dhe raportimit etj. Edhe pse gjatë vitit 2020 Komiteti i Auditimit ishte më aktiv, arsyeja e mospërmbushjes së kërkesave ishte moskompensimi i anëtarëve të KA për aktivitetet e zhvilluara”, thuhet në raport.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në Komunën e Obiliqit në planin për vitin 2020 kishte planifikuar gjashtë auditime të rregullta (tri me rrezik të lartë, dhe tri me rrezik të mesëm), por që nuk ishte përmbushur ky plan.

“Shkaku për se nuk është realizuar plani ishte puna me staf të reduktuar gjatë vitit 2020 për arsye të pandemisë. Mospërmbushja e planit vjetor të auditimit ndikon negativisht në përmirësimin e sistemeve të kontrollit në komunë dhe në arritjen e objektivave të saj. Kryetari duhet të sigurojë se NJAB do të angazhohet që të përmbushë planin e auditimit në mënyrë që t’i ofrojë menaxhmentit një pasqyrë të qartë rreth funksionimit të organizatës ku pastaj të ketë mundësi që t’i marrë masat për t’i korrigjuar gabimet”, thuhet në raport.