1 perditesime
18:50

Mbyllja e “Feronikelit” prek mbi 2000 familje

Vendimi i kompanisë “Ferronikeli” për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit i prekë më shumë se dy mijë familjes, sipas vetë kompanisë.

Të premten kjo kompani vendosi të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Nga “Ferronikeli” thonë se katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e vendimit që do të zgjasë deri kur çmimet të normalizohen.

Tashmë janë vënë kontaktet edhe me Qeverinë e Kosovës për të gjetur një zgjidhje.

Zëdhënësi i kësaj kompanie, Shpend Gugaqi, e ka cilësuar vendimin si opsioni i vetëm i mbetur pas tentimit “të gjitha rrugëve të mundshme”.

“Vendimi i sotshëm i 'Ferronikelit' për ndërtimin e përkohshëm të prodhimit është shumë i dhimbshëm edhe për ndërmarrjen, por gjithashtu edhe për punëtorët, janë 900 punëtorë që preken nga kjo krizë, nga ky vendim dhe janë rreth 1500 të tjerë që janë furnitorë ose kontraktorë nga kompanitë të ndryshme nga 'Ferronikeli'. Vendimi vjen si detyrim pa alternativë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane”, deklaroi Gudaqi.

Gudaqi deklaroi se për situatën e rëndë janë informuar rregullisht dhe është kërkuar ndihma edhe te institucionet qeverisëse të Kosovës, me të cilët vijojnë kontaktet për të gjetur rrugëdalje dhe tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.

Kompania është zotuar se do të paguajë në muajin e ardhshëm të gjithë punonjësit që janë në pushim të detyrueshëm me 50 për qind të pagës së tyre mujore, edhe pse janë të liruar nga obligimet e punës.

Po ashtu, zëdhënësi theksoi se pronarët e “Ferronikelit” janë në proces të investimeve mbi 7 milionë euro, pasi paraprakisht kanë investuar mbi 18 milionë të tjera./KosovaPress

13:37

“Ferronikeli” ndërpret punën, shkak kriza energjetike dhe rritja e çmimit

Për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, Fabrika “Ferronikeli” ka ndërprerë përkohësisht punën. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke thënë se ndërprerja është bërë deri në gjetjen e zgjidhjes, dhe se për komunën ky është lajm i dimbshëm, duke përmendur punëtorët e kësaj ndërmarrjeje.

“Në takim me z. Beribashi shfaqa tërë shqetësimin tim dhe solidaritetin me gjendjen e rëndë dhe urova që sa më shpejt të stabilizohet çmimi i energjisë në tregjet globale dhe kompania Feronikeli të operojë me sukses sikur deri më tani, si burim i të ardhurave për mijëra familje të komunës tonë dhe më gjerë”, ka shkruar ai në Facebook.

Për këtë ka reaguar edhe kompania në fjalë, duke shkruar se katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi "që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen".

“Vendimi për ndërprerjen e plotë dhe të përkohshme të prodhimit nuk ka qenë një vendim i lehtë por është opsioni i vetëm i mbetur, pasi prej disa muajsh janë tentuar të gjitha rrugët e mundshme, duke kërkuar edhe ndihmën e qeverisë me gjenerimet vendore të energjisë. Duke qenë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për impaktin shumëdimensional që e ka në sektorin e punësimit, prodhimit dhe eksportit, NeëCo Ferronikeli për muaj me radhë ka operuar me humbje me shpresën që situata do të përmirësohet. Menaxhmenti ka bërë përpjekje intensive që ta evitojë vendimin për ndërprerjen e prodhimit, mirëpo kjo situatë është bërë e pashmangshme, veçanërisht me rritjen e çmimit të energjisë në Evropë gjatë javëve të fundit. Për situatën e rëndë janë informuar rregullisht dhe është kërkuar ndihma edhe te institucionet qeverisëse të Kosovës”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Ferronikeli thekson se do të paguajë në muajin në vijim të gjithë punonjësit që do të jenë me pushim të detyrueshëm me 50% të pagës së tyre mujore, ndonëse do të jenë të liruar nga obligimet e punës.

“Të gjithë punëtorët do të kthehen në punë me stabilizimin e situatës dhe normalizimin e çmimit të energjisë elektrike. Gjithashtu, ndërmarrja i garanton të gjithë furnitorët dhe partnerët se kjo ndërprerje nuk do të bëhet shkas për të lënë pezull detyrimet ndaj tyre. Të gjitha detyrimet e kontraktuara financiare do të zbatohen me rigorozitet të plotë nga ana e kompanisë.”

Drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje thuhet se i ka dërguar shkresa kryeministrit Albin Kurti dhe ministrive përkatëse, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate.

“Ndërmarrja kërkoi ndërhyrjen e Qeverisë jo për të krijuar fitime por për të shmangur ndaljen e prodhimit dhe në mënyrë që të mos mbesin pa vende pune mijëra punëtorë. Kompania vijon të mbetet e hapur dhe në kërkim të e alternativave që do të mundësonin rikthimin sa më shpejt në prodhim. Për këtë arsye NeëCo Ferronikeli L.L.C vazhdon të mbajë të hapura të gjitha kanalet e komunikimit me Qeverinë dhe institucionet e tjera të Kosovës për të gjetur bashkërisht një zgjidhje deri në stabilizimin e çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane. Ne jemi besimplotë që kjo krizë energjetike që ka përfshirë gjithë Evropën do të kalohet dhe NeëCo Ferronikeli L.L.C do të kthehet përsëri në prodhim duke vijuar të jetë një ndër motorët kryesorë të ekonomisë së Kosovës.”