Arbëri

Pritja 1-dekadëshe e banorëve të “Dardanisë” në Prizren për ligjshmëri

Descriptive Text

Banorët e lagjes “Dardania” në Prizren për më shumë se një dekadë presin që organet komunale ta zbatojnë një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Planin Urban për këtë pjesë të qytetit. Madje shkresat e banorëve në adresë të vendimmarrësve komunalë kanë mbetur pa përgjigje prej vitit 2012, ani pse edhe Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar informata nga Komuna e Prizrenit lidhur me zbatimin e vendimit të saj. Së fundi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati njoftuar se në seancën shqyrtuese të mbajtur më 22 shtator 2021, ka vendosur që të nxjerrë Aktvendimin për Mospërmbarimin e aktgjykimit të saj: KI 56/09, Aktgjykim i 22 shtatorit 2010, me parashtrues: Fadil Hoxha dhe 59 të tjer, dhe për këtë çështje ka njoftuar Prokurorin e Shtetit.

Njëri prej banorëve të kësaj lagjeje, Taulant Hoxha, ka pohuar se nga të dyja organet shtetërore është kërkuar zbatimi i vendimit të Kushtetueses.

"Prej vitit 2012, rregullisht kemi kërkuar edhe nga Komuna e Prizrenit edhe nga Gjykata Kushtetuese që ky vendim të zbatohet”, ka thënë Hoxha.

Gjykata Kushtetuese në aktvendimin për mospërmbarim të këtij rasti ka bërë të ditur se parashtruesi i kërkesës disa herë ka kërkuar zbatimin e vendimit, gjë që nuk është jetësuar në terren. Kushtetuesja ka theksuar se në vitin 2010 kishte nxjerrë aktgjykim për këtë rast, me ç’rast ishte konstatuar shkelja e të drejtës së banorëve e garantuar me aktin më të lartë juridik, pasi vendimi përkatës i KK-së së Prizrenit për Planin Urban ishte miratuar pa diskutim publik, apo pa ndonjë lloj tjetër të pjesëmarrjes publike, dhe se kishte kërkuar nga KK-ja që brenda gjashtë muajve ta njoftojë GjK-në për zbatimin e aktgjykimit në fjalë. Lidhur me këtë aktgjykim palët ishin njoftuar nga GjK-ja në janar të vitit 2011. Ndërsa më 20 korrik 2012, parashtruesi i kërkesës Fadil Hoxha, i është drejtuar Gjykatës me kërkesë që të ndërmerren veprime për zbatimin e aktgjykimit. Në nëntor të atij viti, Komuna e Prizrenit kishte njoftuar GjK-në se janë ndërprerë punimet në objektin në lagjen "Dardania" që ndërlidhen me Planin Urban të ndryshuar.

GJK-ja edhe në vitin 2015 ka kërkuar informata nga kryesuesi i KK-së lidhur me zbatimin e aktgjykimit, me ç’rast ky i fundit ka njoftuar Kushtetuesen se për këtë çështje do të vendoset në KK në harmoni me kërkesat e banorëve dhe kërkesave të GjK-së. Kushtetuesja edhe në shkurt të vitit 2020 ka kërkuar informata përfundimtare nga KK-ja e Prizrenit, duke e paralajmëruar se mund ta nxjerrë vendimin për mospërmbarim dhe ta njoftojë Prokurorin e Shtetit. Në gusht të vitit 2021, GjK-ja e ka përsëritur praktikën e kërkesës së informatës nga palët, ku parashtruesi i kërkesës ka theksuar se aktgjykimi nuk është zbatuar përkundër shkresave të dërguara tek autoritetet komunale, derisa kryesuesi i KK-së së Prizrenit ka pohuar se nuk ka pasur njohuri për këtë çështje dhe se sipas mundësive, ky institucion do ta trajtojë atë, me përpjekjen për t’i dhënë një zgjidhje.

Image

Pas këtyre zhvillimeve, GjK-ja ka konstatuar se aktgjykimi i saj nuk është zbatuar as pas më tepër se 10 vitesh dhe për këtë ka njoftuar Prokurorin e Shtetit përkitazi me moszbatimin e Aktgjykimit të saj në rastin KI56/09.

e shkuar, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit me shumicë votash kanë vendosur që në kuadër të seancës VI të këtij organi ta shqyrtojnë lëndën e ardhur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për rastin e lagjes “Dardania”. Ndonëse kjo pikë ishte futur në rendin e ditës, megjithatë të enjten e shkuar nuk është diskutuar më tutje për të, sikurse edhe për çështjet tjera në agjendë, pasi mbledhja e KK-së pas pushimit të drekës nuk vazhdoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mesin e kuvendarëve ka pasur pikëpamje të ndryshme nëse kjo çështje duhet diskutuar në këtë seancë. Gjatë diskutimeve, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka theksuar se kërkesa e Gjykatës Kushtetuese lidhur me objektin në lagjen “Dardania” është e rëndësishme.

“Duhet me shpjegu se rrënimi i objektit kushton diku 30 mijë euro, se është një masë e madhe e betonit. Për këtë s’kemi mundur me kornizat që kemi, duhet me planifiku si kod të veçantë, ndoshta për vitin e ardhshëm për me rrënu”, qe shprehur Haskuka.

Por Taulant Hoxha insiston se banorët edhe nga pushteti aktual kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GjK-së, përkatësisht rrënimin e objektit në ndërtim e sipër.

“Vetëm gjatë mandatit të fundit të kryetarit Haskuka, dy herë i jemi drejtuar zyrtarisht me kërkesën e qartë për ndarje të buxhetit të nevojshëm për rrënim të objektit, bashkë me rikujtimin që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është vepër penale. Fatkeqësisht, në asnjërën kërkesë nuk janë përgjigjur, ndërsa tani arsyetohen pikërisht për çështjet të cilat ne ua kemi rikujtuar në vazhdimësi, edhe pse është detyrë e tyre që t'i dinë dhe t'i zbatojnë", ka deklaruar Hoxha.

Në një njoftim të dërguar të hënën nga shërbimi i KK-së është bërë e ditur se vazhdimi i seancës VI të rregullt të KK-së së Prizrenit është caktuar për 5 tetor 2021, ku pos tjerash parashihet shqyrtimi i propozim-vendimit për anulimin e vendimit të datës 30 prill 2009 për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Planit detal Urbanistik të lagjes “Jaglenica” (tani “Dardania”) në Prizren.