Arbëri

Rritet numri i imunizimeve te shtatzënat në Lipjan

Gjithsej 45 mijë doza të vaksinës anti-Covid janë administruar në Komunën e Lipjanit. E interesim të theksuar për vaksinim, sipas drejtuesve të kësaj qendre, ka edhe te gratë shtatzëna

Interesimi i shtatzënave për t’u imunizuar me vaksinën kundër koronavirusit është rritur kohët e fundit në Lipjan, thonë përgjegjësit për vaksinim në këtë komunë.

Sipas tyre, brenda shtatorit, qindra shtatzëna janë vaksinuar.

Fluks të madh ka pasur edhe këto ditë, tregon Izer Sinani, koordinator i Qendrës së Vaksinimit në këtë komunë.

“Interesimi i grave shtatzëna gjatë ditëve të fundit është jashtëzakonisht i madh. Brenda javës kemi me dhjetëra gra shtatzëna, të cilat janë të interesuara për t’i marrë vaksinat, po ashtu të rekomanduara nga gjinekologët, andaj u bëj apel të gjitha grave shtatzëna dhe grave gjidhënëse të vijnë dhe ta marrin vaksinën”, ka thënë Sinani.

Agnesa Avdyli, shtatzënë, teksa u vaksinua me dozën e dytë, tregoi për konsultat që kishte pasur me mjekun e saj.

“Ju lutem të gjithë të vaksinohen, sepse nuk është e dëmshme. Të gjitha gratë shtatzëna të vaksinohen, sepse mjeku ka thënë se vaksina nuk është e dëmshme”, ka apeluar ajo.

Për të vizituar stafin mjekësor dhe gratë shtatzëna gjatë vaksinimit ka dalë edhe drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyçi.

“Unë tash gjatë vizitës së ekipeve, pyeta nëse ka pasur raste edhe të shtatzënave nëse janë vaksinuar dhe përgjigja është pozitive, sepse kanë vaksinuar edhe shtatzëna, gjë që mendoj se është një mesazh i mirë edhe për të gjitha gratë e tjera. Unë, sigurisht se do të kërkoj edhe numrin e saktë të vaksinimit të shtatzënave, të cilat më të vërtetë e shoh se e kanë kuptuar rëndësinë e vaksinimit”, ka njoftuar Bytyçi.

Deri më tash në komunën e Lipjanit janë administruar mbi 45 mijë doza vaksinash. Prej tyre, më shumë se 18 mijë qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.