Arbëri

Vonesa në punime e rrezik nga shembja e rrugës që të çon në bjeshkët e Junikut

Descriptive Text

Rruga që të çon te qendra e Junikut për në Bjeshkë, po paraqet rrezik për junikasit.

Me fillimin e punimeve të kësaj rruge në vitin 2017, banorët po ankohen se është përkeqësuar gjendja e saj duke u shembur në disa vende.

Në këtë mënyrë ata thonë se po ndihen të rrezikuar kur po marrin rrugën për në shtëpitë e tyre, apo për të frekuentuar bjeshkët duke marrë parasysh edhe vonesat që janë bërë për shtrimin e saj.

“Siç po e shihni rruga është shembur. Kjo rrezikohet prej fatkeqësive natyrore, këtu është dhe i lirë dhe mundet të shembet. Këtu nuk është shembur asnjëherë, deri sa janë vendosur gypat e ujit për të kaluar në shpat e për t’u derdhur në ujë. Kanë mundur që bëjnë tjetër zgjidhje po më mirë po e dinë ata. Se kush po i jep kujna përgjegjësi i dinë ata”, tha Muhamet Gjocaj, banor i Junikut.

Një pjesë e rrugës që të çon nga qyteza për në Gjocaj është asfaltuar kohëve të fundit. Në tenderin “Asfaltimi i rrugës Junik-Gjocaj/Punë shtesë” ishte e përshkruar si pjesë e punës edhe shtrimi me zhavorr i kësaj rruge.

Mirëpo sipas banorëve, zgjerimi dhe shtrimi me zhavorr i saj janë bërë nga vetë ata.

“Që pas luftës e këndej ju kemi kthyer vendbanimit tonë. Para luftës ka qenë shumë e dëmtuar kjo rrugë. Pas luftës me financimin tonë privat kemi arritur që ta hapim këtë rrugë edhe me vullnetin e qytetarëve të Junikut të cilët kanë pasur pronat deri këtu, kam arritur dhe është hapur rruga sërish dhe është bërë e kalueshme. Zgjerimi i rrugës dhe shtruarja me zhavorr është bërë privat asnjë ndihmë prej komunës së Junikut në atë kohë nuk kemi pasur dhe as tani”, tha Gjocaj.

Probleme të tjera të qytetarëve janë edhe rrugët e dëmtuara të qytezës, mungesa e ndriçimit publik.

Ndërsa mbeturinat vazhdojnë të jenë sfidë, sidomos në lumin Erenik.

Ndryshe, Komuna e Junikut akoma nuk ka një çerdhe publike.