Arbëri

Mbi 80 mijë vaksina të administruara në Gjakovë, bie interesimi

Descriptive Text

Në Komunën e Gjakovës e cila sipas vlerësimit të popullsisë nga Agjensia e Statistikave të Kosovës për vitin 2020, ka 94 mijë e 210 banorë, janë administruar 80 mijë e 358 vaksina. Kështu ka bërë me dije të shtënën për KOHËN drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku.

Ajo ka njoftuar se me dy doza të vaksinës janë vaksinuar 34 mijë e 585 qytetarë, ndërsa me një dozë 45 mijë e 773 persona.

Drejtoresha Spahiu-Shllaku ka bërë me dije se javën e fundit ka pasur një rënie të interesimit dhe numri i të vaksinuarve pothuaj është përgjysmuar, krahasuar me pak ditë më parë.

Në përpjekje të rritjes së numrit të të vaksinuarve ajo ka njoftuar se Gjakova po përgatitet që ditëve në vijim me ekipe vaksinimi të kryejë këtë proces edhe në teren, saktësisht nëpër Qendrat e Mjeksësisë Familjare(QMF) në lokalitetet e komunës.

"Interesi ynë është të rritet numri i të vaksinuarve dhe në momentin e sigurimit të kushteve do të fillojë vaksinimi edhe nëpër QMF, nuk është proces i thjeshtë por mendojë se do ia arrijmë", ka thënë drejtoresha Spahiu-Shllaku.

Ajo ka bërë me dije se Qendra e Vaksinimit në Gjakovë e cila është e vendosur në sallën sportive të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët "Fehmi Agani", do të vazhdojë të funksionojë edhe pas fillimit të vitit shkollor, që nisë të hënën.

"Po edhe më tutje do të vazhdohet në sallën sportive të shkollës 'Fehmi Agani', nuk mendojmë që paraqet rrezik për infektimin e nxënësve, pasi që ka hyrje të veçantë", ka thënë drejtoresha Spahiu-Shllaku.

Qytetarët e Komunës së Gjakovës, po i japin rëndësi procesit të vaksinimit.

Marigona Muçaj, një banore e fshatit Brekoc të Gjakovës ka bërë me dije se ajo dhe e gjithë familja e saj 6 anëtarëshe janë vaksinuar të gjithë. Ajo madje e kishte bindur një shoqen e saj që po hezitonte, të vinte për vaksinim në Qendrën e Vaksinimit në Gjakovë.

"Ne familja jonë jemi vaksinuar të gjithë, edhe një vëlla i mitur që e kemi. E provuam vitin e kaluar se çka është të infektohesh me Covid-19, pasi ishim të gjithë të infektuar dhe posa doli vaksina, menjëherë kemi ardhë dhe e kemi kryer këtë proces, duke e kaluar pa asnjë komplikim", ka thënë për KOHËN Muçaj, derisa po e priste shoqen e saj.

Ndërkaq drejtori i Spitalit "Isa Grezda" në Gjakovë, Hilmi Shala, të shtunën ka njoftuar për KOHËN se aktualisht në këtë spital janë të shtrirë 22 pacientë me COVID-19, 5 prej tyre nga Shqipëria. Nga ata, 15 pacientë janë me oksigjeno-terapi dhe 1 në respirator.

Ndryshe Komuna e Gjakovës sipas të dhënave të IKSHP-së, nga fillimi i pandemisë ka pasur gjithsejtë 7 mijë e 990 të infektuar me COVID-19, nga të cilët 7 mijë e 564 janë shëruar ndërkohë që në këtë komunë mbesin edhe 426 raste aktive. Fatkeqësisht 225 qytetarë të Gjakovës e kanë humbur betejën me virusin vrastar.