Arbëri

Në Rahovec është vaksinuar mbi 60 për qind e popullatës, thonë zyrtarët shëndetësorë

Qëllimi i Qeverisë së Kosovës për të vaksinuar brenda këtij viti 60 për qind të popullatës, në Komunën e Rahovecit thonë se është arritur tashmë. Koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në Rahovec, Qazim Cana ka thënë të enjten për KOHËN se bazuar në shifrat që i ka nxjerrë para dy ditësh, në Komunën e Rahovecit janë vaksinuar 60.6 për qind e popullatës që është e lejuar të vaksinohet.

“Në pjesën profesionale vaksinimi i 51 për qind të popullatës llogaritet arritje e imunitetit kolektiv, ndërsa ne e kemi kaluar 60-përqindëshin dhe kjo është reflektuar me rënien e numrit të të infektuarve dhe stabilizimin e situatës me infeksionet me virusin COVID-19”, ka thënë Cana.

Sipas Canës, është tejkaluar hezitimi i qytetarëve për vaksinim dhe se interesimi për vaksinim vazhdon të jetë i lartë. Duke folur për sfidat e vaksinimit, Cana ka thënë se po të priteshin vetëm terminët online, nuk do të ishte arritur ky numër vaksinimesh edhe dy vjet.

“Ne jemi kryesisht vend rural dhe terminë online me ‘eKosova’ bënin 20-30 veta në ditë dhe me këta terminë do të na duheshin edhe dy vjet për të arritur këto rezultate dhe kështu kemi bërë terminë ad-hoc dhe kemi vaksinuar mesatarisht 600-800 persona në ditë”, ka theksuar ai.

Duke parë interesimin e qytetarëve për vaksinim, drejtori i QKMF-së në Rahovec, Elbunit Kryeziu vlerëson se nëse vazhdon ky trend deri në fund të vitit do të vaksinohet 90 për qind e popullatës.

Ndërkaq Besjan Krasniqi, banor i fshatit Ratkoc, i cili ishte vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, ka thënë të enjten derisa po e priste një familjar, para Qendrës së Vaksinimit në Rahovec, se vaksinat që u zbuluan kundër COVID-19, “e shpëtuan popullin”.

“Në momentin që doli lajmi se u zbulua vaksina kundër këtij virusi, ky ishte lajm për shpëtimin e popullit, vaksinat e kthyen shpresën tek qytetarët dhe ato janë shpresa për fitore ndaj COVID-19”, është shprehur ai.

nivel vendi, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, janë vaksinuar me të dyja dozat rreth 38 për qind e qytetarëve mbi 16-vjeç.