Arbëri

5 vjet pas miratimit të Ligjit, Obiliqi me më shumë raste të sëmundjeve kronike

Descriptive Text

Jetojnë afër termocentralit “Kosova B” dhe çdo ditë përballen me tymin dhe problemet shëndetësore që vijnë nga ndotja e ajrit.

Ligji për Obiliqin, i cili u miratua në vitin 2016, parasheh përmirësimin e ndotjes së ajrit.

Megjithatë, 5 vjet më pas numri i rasteve të sëmundjeve që shkaktohen nga ndotja e ajrit vetëm se po rritet në këtë qytet.

“Nëse i referohemi këtij viti, prej muajit janar deri në qershor kanë qenë 53 mijë vizita. Ndërsa nëse i përmendim shërbimet shëndetësore ato kanë qenë rreth 125 mijë shërbime shëndetësore. Ndotja e ambientit ndikon mjaft shumë tek qytetarët. Sëmundjet kronike jongjitëse janë në trend të rritjes. Sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik vërehet një dominim 30 për qind më shumë i sëmundjeve kronike-jongjitëse në Komunën e Obiliqit sesa në komunat e tjera”, thotë Vjollca Kameraj-Hoti, doktoreshë në QKMF të Obiliqit.

Problemet shëndetësore dhe rreziqet e tjera që po i kanosin banorët që jetojnë nën tensionin e lartë të “Kosova B”, po bëjnë që të kërkojnë shpërngulje nga ato toka. Por një gjë e tillë po është e pamundur, për shkak të kushteve ekonomik.

Megjithëse gjenden në zonën e rrezikuar mjedisore, ata nuk janë përfitues të shumë kushteve të tjera të cilat i gëzojnë me Ligjin për Obliqin.

Shumë prej tyre nuk janë të punësuar dhe jetojnë me social. Përderisa nuk kanë qasje as në avullin e termocentralit të cilin do duhej ta shfrytëzonin për ngrohje qendrore.

Nga familja Selimi i punësuar në KEK ishte vetëm kryefamiljari, i cili nuk jeton më. Përderisa punën e tij nuk e ka trashëguar asnjëri nga fëmijët e tij.

Kryefamiljarja Abide Selimi tregon për sëmundjet që vuan, përderisa kërkesa e kamotshme në Komunë për dhënien e një parcele nuk po realizohet.

Mundësinë për punësim nuk e ka gëzuar as Arben Aliu. Për shkak të një fatkeqësie nga zjarri, ai ka mbetur pa shtëpi pasi nuk po ka mundësi të ndërtojë një të re.

Sipas statistikave të QKMF-së, problemet më të shpeshta shëndetësore me të cilat përballen banorët e Obiliqit janë sëmundjet e traktit respirator, sëmundjet e qarkullimit të gjakut, si dhe sëmundjet malinje, që për çdo vit shënohen nga 35 raste të reja.

Sipas qytetarëve kjo gjë po ndodh pasi termocentralet shpeshherë po i ndalin filtrat e ajrit.

Naser Aliu, i cili është banor i këtij qyteti, tregon se dy anëtarë të familjes së tij kanë vdekur nga kanceri, ndërsa ai vuan nga problemet me mushkri.

“Jemi afër ‘Kosovës B’, baba më ka vdekur prej kancerit, vëllai po ashtu. Vetë nuk po e ndiej veten mirë. Tre djemtë i kam pa punë. Nuk ka as konkurs për pranim. Disa parqe pi ndërton, disa rrugë po i shtron, po kur nuk ki kulm mbi kokë këto janë të kota. Kam bronhit, ngushtim të frymëmarrjes, krejt prej ambientin. Ka zhurma të mëdha, e s’të lënë as me flejt”, thotë Aliu.

Megjithëse qendra e Obiliqit ka ndryshuar dukshëm në këtë mandat, qytetarët ankohen edhe për probleme të tjera të cilat janë kryesore.

“Ne si banorë këtu jemi të dëmtuar shumë në çështjen e ujit, rrugës, ngrohjes qendrore, punësimit të fëmijëve e kemi shumë probleme. Këta i kanë kryer të vetat dhe ne jemi të dëmtuar në aspektin edhe me prona, edhe me të gjitha, përderisa kanë mundësi që prej komunave të tjera të vijnë këtu të punësohen, ne nuk mundemi. Na kanë sjellë bërllokun këtu që frymë nuk mund të marrësh, derdhet këtu krejt Kosova. Është një ngarkesë e madhe për neve. ‘Kosovën B’ e kemi shumë afër dhe në punë nuk mund të hyjmë, sepse kryetari duhet t’i sjellë militantët e vet. I ka rregulluar disa parqe e sene, po këto janë bërë me pare tona”, tha ai.

Furnizim i rregullt me energji elektrike për banorët e zonës; trajtim me përparësi në kushte të barabarta, për ata që janë banorë të zonës së veçantë së paku pesë (5) vjet, në procedurat e punësimit për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike; mundësi qasjeje në shfrytëzimin e avullit të termocentraleve për ngrohje qendrore, janë disa nga përfitimet që u takojnë me ligj qytetarëve të Obiliqit.