Kosovë

Para vitit 2023 shkolla e Poqestës së Pejës nuk bëhet me objekt të ri

 

“Ndërtimi i shkollës ka qenë në plan, siç e kemi pas planifikuar ne, të bëhet sivjet dhe vitin e ardhshëm, dhe në shtator të vitit të ardhshëm të hapet shkolla e re për vitin e ri shkollor”, tregon drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, planet që i kishte kjo drejtori kur është punuar projekti, por pa i kalkuluar zvarritjen e mundshme të tenderimit të projektit që gjashtë muaj dhe mosfunksionalizimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit që nga fundi i muajit mars

Objekti i ri shkollës fillore “Pjetër Budi” në fshatin Poqestë të Pejës, nuk do të mund të ndërtohet para vitit 2023. Në këtë objekt të ri shkollor procesi mësimor mund të nis më së hershmi në vitin shkollor 2023-2024. Në Drejtorinë e Arsimit kishim shpresuar se shkolla e re për nxënësit e këtij fshati do të jetë i gatshëm për shtatorin e vitit të ardhshëm. “Ndërtimi i shkollës ka qenë në plan, siç e kemi pas planifikuar ne, të bëhet sivjet dhe vitin e ardhshëm, dhe në shtator të vitit të ardhshëm të hapet shkolla e re për vitin e ri shkollor”, tregon drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, planet që i kishte kjo drejtori kur është punuar projekti.

Mirëpo, punimet në ndërtimin e këtij objekti vështirë që mund të nisin sivjet, për shkak se tenderi i shpallur në fillim të muajt mars ende nuk ka përfunduar. Madje, lënda e këtij tenderi që gati gjashtë muaj ende gjendet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Pasi ishte shpallur tenderi dhe ishte përzgjedh një operatori i propozuar për kontratë, në OShP kishte pas ankesa të operatorëve konkurrues në këtë tender. Pas ekspertizës, OShP kishte urdhëruar Autoriteti Kontraktues-Komuna e Pejës, që ta anulojë vendimin për dhënien e kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Por edhe pas rivlerësimit të tenderit, siç tha për KOHËN, menaxheri i Zyrës së Prokurimit në këtë komunë, Xhemë Berisha, ka pas ankesë në OShP. “Lënda është në OShP. Lënda është rivlerësuar dhe prapë ka përfunduar në OShP, i cili ndërkohë ka mbetur pa panel shqyrtues të ankesave të operatorëve”, tregon Berisha arsyen e zvarritjes së tenderimit të këtij projekti.