Arbëri

Përfshihen nga zjarri disa hektarë me pyje në Topillë të Shtimes

Descriptive Text

Disa hektarë me pyje janë përfshirë nga zjarri në fshatin Topillë të Komunës së Shtimes. Zjarri ka nisur që nga mesdita e së premtes.

Ndërkohë, Njësia e Zjarrfikësve po bën përpjekje që ta lokalizojë zjarrin.

Kryetari i Komunës, Naim Ismajli, gjatë orëve të vona ka qëndruar së bashku me zjarrfikësit në këtë lokalitet, ndërkohë ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se shumë zyrtarë të Policisë dhe vullnetarë po kontribuojnë për ta lokalizuar zjarrin.

“Sonte në orët e mbrëmjes bashkë me stafin tim isha në fshatin Topillë ku kanë shpërthyer vatra zjarri fushore e malore që nga mesi i ditës, por falë angazhimit të njësisë së zjarrfikësve, ekipeve tjera komunale, policisë dhe vullnetarëve, është arritur të lokalizohet zjarri”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, në këtë moment, ekipet përgjegjëse janë ende në terren duke e mbikëqyrë situatën me zjarre në fshatin Topillë, pasi për shkak të erës, zjarri mund të përhapet prapë.