Arbëri

Jashari: Nuk kemi arkiva, nuk do lejojmë ta humbim Kosovën në tavolinë

Anëtari i familjes Jashari, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari lidhur me temën për hapjen e arkivave të Kosovë thotë se Kosova nuk ka arkiva për të hapur, dhe se arkivat duhet t’i hapë vetëm Serbia, e cila për një shekull ka qenë agresor ndaj popullit shqiptar.

Ai i ka bërë thirrje liderëve të Kosovës por edhe bashkësisë ndërkombëtare që të jenë të kujdesshëm. Jashari tha se nuk do lejojnë që Kosovën ta hupin në tavolinë derisa e fituan të partë e tyre me luftë.

“Unë nuk jam që diçka të fshihet, sepse nuk kemi çka fshehim sepse ne kemi qenë viktima ata kanë qenë agresori, ata kanë ushtruar dhunë mbi ne një shekull të tërë. Unë jam që gjithçka të dalë në pah, por që ata janë të cilët kanë fshehur dhe janë duke fshehur, pra Serbia, sepse neve nuk kemi çka. Krejt çka kemi këto varre, këto gërmadha që na kanë mbetur. Unë i bëjë thirrje udhëheqësisë tonë por kërkoj që të jenë të kujdesshëm edhe bashkësia ndërkombëtare ndaj nesh, sepse ky popull dhe gjitha këto varre që janë sot dhe gjithë kjo vuajtje dhe gjithë kjo sakrificë është bërë pikërisht nga ai represion dhe dhunë e vazhdueshme për një shekull nga Serbia. Nuk do lejojmë që Kosovën ta humbin në tavolinë kur ditën të parët tanë ta mbrojnë këtë Kosovë me luftë, ne e kemi shumë më lehtë ta mbrojmë në liri. Kështu që duhet të jenë të gjithë të kujdesshëm në këtë aspekt sepse nuk guxojmë që historia të na përsëritet”, u shpreh ai.

Djali i heroit, Hamëz Jashari kërkoi që ndërkombëtarë ta rrisin presionin ndaj Serbisë që t’i hap arkivat e saj, me qëllim që të dihet fati i familjarëve të zhdukur.

“Liderët e vendit tonë duhet që përmes presionit e Bashkësisë ndaj Serbisë që ajo t’i hap arkivat dhe të na i kthej familjarët tanë që të kemi ku të hedhim lule, sepse 22 vite pas luftës ende ka nëna dhe fëmijë që nuk kanë ku ta hedhin një lule tek familjari i tyre. Ata (Serbia)duhet t’i hapin, Kosova dhe ne shqiptarët nuk di që kemi arkiva dhe ne arkivat tona janë anë e kënd këtij vendi nga ta kthesh kokën në të djathë dhe të majtë me varreza të dëshmorëve, me varreza të civilëve, me masakra të ndryshme e kulla, objekte të shkatërruara ende 22 vite pas luftës”, theksoi ai./KSP