Arbëri

Zyrat e partisë rome në Prizren sërish shërbejnë si qendër vaksinimi

Descriptive Text

Zyrat e subjektit politik Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës në Prizren të mërkurën përsëri janë shfrytëzuar si pikë për vaksinimin e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Këta të fundit kanë theksuar se kjo praktikë krijon lehtësira për ta, ngase mund të vaksinohen pa caktuar terminë paraprakë. Në anën tjetër, aktivistët romë kanë theksuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për fushatë apo përfitime politike, por vetëm për një shërbim për komunitetin përkatësisht shëndetin publik.

Sipas organizatorëve, aksioni i vaksinimit për pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në zyrat e subjektit politik Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës në Prizren po përsëritet për shkak të kërkesave të shumta të komunitetit për vaksinim, si dhe zyrat e partisë po shfrytëzohen për shkak se janë më adekuate për personelin shëndetësor, si dhe më afër lagjeve ku gravitojnë pjesëtarët e këtyre komuniteteve.

Njëri prej atyre që të mërkurën ka ardhur për të marrë dozën e parë të vaksinës ka qenë Abaz Shetro nga lagjja “Terzimahallë”. Ai ka bërë të ditur se ka vendosur që të vaksinohet në zyrat e partisë meqë ky proces po realizohet më lehtë respektivisht pa termin.

“Erdha me marrë vaksinën, pa vaksinë kurrgjë hiç s’mund të bëj. As në shtet s’mund të dal, as në qytet, edhe nëpër markete s’mund të hyj. Për këtë arsye erdha me marrë vaksinën”, ka thënë Shetro.

Ndërsa aktivisti Sylejman Elshani ka theksuar se aksioni i vaksinimit po realizohet për të tretën herë në zyrat e LPRK-së për shkak të kërkesave të shumta të pjesëtarëve të komuniteteve, të cilët kanë vështirësi për caktimin e terminëve meqë nuk kanë adresa elektronike.

“Arsyeja pse jemi duke vazhduar vaksinimin e qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Komunën e Prizrenit është se kemi shumë kërkesa prej qytetarëve. Çdo ditë qytetarët na kontaktojnë për vaksinimin, ngase kanë probleme për caktimin e terminëve, sepse nuk kanë e-mail adresa”, ka thënë Elshani.

Sa i përket vendit të vaksinimit, ai thotë se nuk ka pasur vend tjetër më adekuat.

“Arsyeja pse po realizohet në zyrat e partisë është se nuk kemi pasur vend tjetër adekuat dhe vendet e tjera nuk kanë qenë të përshtatshme përveç lagjes “Terzimahalla” në Qendrën e Takimeve dhe zyrën tonë, për shkak se hapësira është asisoj që u jep mundësi mjekëve të jenë më të lirë për t’i vaksinuar qytetarët”, ka deklaruar Elshani.

Në të njëjtën kohë mohon se një gjë e tillë bëhet për fushatë apo përfitime politike.

“Assesi nuk kemi bërë diçka në lidhje me kampanjën. Assesi nuk kemi bërë diçka në lidhje me interesat tona. Por qëllimi është bazuar në kërkesën e qytetarëve. Është një vend në mes të qytetit, në Prizren gravitojnë 12 lagje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, dhe është vendi më i përshtatshëm ku ata mund të vijnë dhe ta kryejnë vaksinimin, edhe pa termin por edhe për një kohë të shkurtër”, është shprehur Elshani.

Sipas të dhënave të organizatorëve, deri më tani në këto aksione janë vaksinuar rreth 600 persona, derisa interesimi ka qenë i konsiderueshëm edhe të mërkurën.