Arbëri

Qytetarëve që dyshohet se janë të infektuar nuk u ofrohet shërbimi i vaksinimit

Me rekomandim të specialistëve, dhjetëra qytetarëve brenda një dite nuk u ofrohet shërbimi i vaksinimit në Lipjan për shkak se kanë simptoma të infektimit me koronavirus apo janë duke marrë terapi për të tjera probleme shëndetësore.

Izer Sinani, koordinator i Qendrës për Vaksinim në Lipjan, ka arsyetuar mosdhënien e vaksinës tek individ të caktuar me dyshimin se janë të infektuar me virus. Sipas tij, mjekët paraprakisht ia kontrollojnë temperaturën secilit pacient, pastaj e pyesin për gjendjen shëndetësore dhe gjendjen e familjarëve të tjerë.

“Disa qytetarë nuk mund ta marrin vaksinën për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Gjatë anamnezës në bisedë e sipër me mjekët zbulojnë se ata janë të sëmurë ose kanë dikë të sëmurë nga familja me Covid-19. Po ashtu kuptojmë se gjendja shëndetësore e tij nuk është e mirë dhe kanë dyshime se janë të infektuar. Po ashtu ka raste kur dikush ka pasur ndonjë lëndim dhe dy javët e fundit nuk guxon të marrë vaksinën”, ka thënë Sinani.

Ai rekomandon të gjithë pacientët që kanë probleme shëndetësore dhe nuk ndihen mirë të mos e marrin vaksinën, pavarësisht që termini i tyre për vaksinim mund të kalojë.

“Qytetarët të cilët i kanë anëtarët e familjes me Covid, gruaja ose burri ose ndonjë anëtar tjetër i familjes, paraprakisht ata është mirë të bëjnë një vizitë te mjeku, të bëjnë testin, së paku atë anti-COVID dhe pastaj nëse rezultojnë negativ, të vijnë dhe të marrin vaksinën”, ka këshilluar Sinani. Sipas tij, deri më tash në Komunën e Lipjanit janë vaksinuar rreth 35 mijë qytetarë.

Qytetarët që nuk e morën vaksinën për shkak të gjendjes shëndetësore nuk kanë dashur të flasin. Por ata të cilët tashmë janë vaksinuar kanë thënë se vaksina është mundësia e vetme për t’u mbrojtur nga virusi.

“Ishim në kontroll te mjeku. Mjeku më tha se jemi mirë me shëndet dhe erdhëm me marrë vaksinën. Qytetarët duhet ta marrin sa më shpejt vaksinën, sepse është e shëndetshme për ta dhe është mundësia e vetme për t’u mbrojtur”, ka thënë Mufail Avdyli, banor i fshatit Shalë.

© KOHA Ditore