Në tetë shkolla të Komunës së Podujevës do të ripërsëritet konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë.
Në muajin qershor Drejtoria e Arsimit në Podujevë e kishte rishpallë konkursin për 32 shkolla, 28 prej të cilave për drejtorë dhe 4 për zëvendësdrejtorë.
Ndërkohë kishin arritur t’i “rehatonin” vetëm 8 shkolla.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka theksuar se në konkursin e dytë janë zgjedhur 22 drejtorë dhe 3 zëvendësdrejtorë me mandat katërvjeçar.
“Në konkursin e fundit janë zgjedhur 22 drejtorë dhe 3 zëvendësdrejtorë me mandat 4 vjeçar. Për arsye të mospërmbushjes së kritereve dhe kërkesave në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 151 i datës 24.12.2020 dhe vlerësimit të komisionit kompetentë, konkursi do të përsëritet në 8 shkolla”, ka thënë Fatri Zhitia.
Sipas tij, rreth këtij konkursi i kanë pasur gjithsej dy ankesa.
“Të gjithë ish-drejtorët që nuk janë në këto pozita, DKA- ka bërë zgjidhje duke i sistemuar si arsimtarë-profesorë sipas profileve të tyre përkatëse. Ppo ashtu, pozitat që kanë mbetur të hapura pas zgjedhjes së drejtorëve janë mbuluar me sistemimin e ish-drejtorëve në këto pozita, si dhe me mësimdhënës që janë brenda sistemit dhe nuk e kanë normën e plotë të orëve”, ka deklaruar zëdhënësi Zhitia.
Konkursi për drejtorë do të ripërsëritet në Shkollën e mesme ekonomike në Podujevë “Isa Boletini” dhe shkollat fillore “Xheladin Rekaliu” në Podujevë, “Musli Dumoshi” në Dumosh, “Sami Frashëri” në Zhiti, “Shefki Latifi” në Pollatë, “Ilir Konushefci” në Lluga dhe “Jetullah Islami” në Dyz. Ndërsa për zëvendësdrejtor në Shkollën “Naim Frashëri” në Podujevë.