Gjatë ditëve të fundit është shtuar shumë interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar në qytetin e Ferizajt dhe atë të Lipjanit, që ka bërë të ketë tollovi e pritje.
Qytetarët kanë kërkuar që të hapen edhe qendra të tjera nëpër lokalitete me qëllim që procesi të kalojë më lehtë.
“E kom marrë vaksinën tash po e pres edhe letërnjoftimin dhe kartelën. Më mirë ka qenë që t’i marrim në shalë se që kemi ardhur në Lipjan sepse ne po duhet të paguajmë udhëtim, jam plakë 72 vjeç, çka me bë”, thotë qytetarja Rahime Bajraktari.
“Kena prite qe një orë e gjysmë po ndoshta tash ma merr mendja se do të bëhet diçka dhe i marrim vaksinat se këto janë për të mirën tonë janë”, thotë qytetarja Hanife Zejnullahu. “Terminin qe një javë e kam bërë, erdha këtu më thanë se nuk ka termin, ministria duhet ta dërgon, unë nuk e di ku është ministria veç me shkua në Sarajevë. Unë sot në ora 9 kom pas me ardhur, tash po thonë spo ka rrjet, si t’ju besojmë a ka rrjetë apo jo”, thotë qytetari Ismet Dranagllava.
Koordinatori i kësaj qendre në Lipjan, Izer Sinani, ka thënë se deri më tash janë vaksinuar mbi 23 mijë qytetarë, por fluksi i madh ka bërë që të krijohen edhe pritje të gjata.
“Kishte qenë e mirëseardhur edhe për qytetarët e Komunës së Lipjanit që të hapet edhe një qendër tjetër në një vend tjetër në Lipjan në mënyrë që të eliminohen tollovitë dhe pritjet e gjata të qytetarëve dhe vaksinimi i qytetarëve të kryhet në afatin e paraparë”, deklaroi Sinani.
Në Ferizaj stafi mjekësor ka kërkuar nga qytetarët që ta respektojnë orarin e terminëve.
“Unë besoj dhe shpresojë që pacientët do të duhej t’i respektojnë terminet të cilat janë të caktuara në platformën E-Kosova, një çështje që të mos ketë pritje të gjata në qendrën e vaksinimit këtu në Ferizaj”, tha Drita Nazifi, koordinatore e Qendrës së vaksinimit në Ferizaj.
Në këtë komunë deri më tash janë vaksinuar mbi 46 mijë qytetarë.
-
Nga: Agim Ademi
-
25 gusht 2021 23:00
-
Shpërndaje në: