Arbëri

Qeveria e vlerëson të jashtëligjshme rregulloren për fëmijë që ishte lejuar nga qeveria e kaluar

Të jashtëligjshme e ka vlerësuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve Rregulloren e Komunës së Podujevës për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijëve. Por, vlerësime tjera janë dhënë deri tash nga ish-qeveria dhe se shumë komuna i kanë në fuqi rregullore të tilla.

Ky dokument ishte përgatitur fillimisht si model nga një organizatë në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Por, qeveria e tanishme e Kosovës ka vlerësuar se Ligji për mbrojtjen e fëmijëve nuk e parasheh nxjerrjen e akteve të tilla komunale. Këtë e ka thënë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës, Fatmir Gashi, derisa po e lexonte shkresën e MFPT-së para këshiltarëve komunalw në mbledhjen e fundit. Ka thënë se draftimi i këtij dokumenti ka ardhur si rezultat i punës së organizatës ATRC në bashkëpunim me Aosicacionin e Komunave të Kosovës. Gashi ka theksuar se në bazë të asaj që u është thënë, ATRC-ja ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me nivelin qendror për hartimin dhe draftimin e dokumentit në fjalë dhe e njëjta rregullore është bërë si model nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Kryesuesi i Kuvendit të Podujevës ka thënë se komunat kanë qenë të obliguara vetëm t’i parashohin specifikat komunale.

“Përfaqësuesit e organizatës e kishin prezantuar këtë dokument fillimisht në ministrinë përkatëse, nga e cila kishte marrë pëlqim se e njëjta mund të përcillet nëpër komuna dhe e njëjta mund të miratohet, sepse është në harmoni me legjislacionin në fuqi”, është shprehur Fatmir Gashi.

Kryesuesi ka thënë se një dokument të tillë e kanë miratuar disa komuna dhe të njëjtin janë duke e impelemtuar.

“Mirëpo, nga informatat që kemi nga niveli qendror, do t’u dërgohet një shkresë të gjitha komunave dhe do të kërkojnë t’i shfuqizojnë këto rregullore”, tha ai.

Këshilltarët opozitarë nuk janë deklaruar kur është diskutuar rreth kësaj pike, por ata gjatë diskutimit për pikat tjera e kishin kritikuar qeverinë komunale se për pak kohë i janë kthyer mbrapshtë 3 dokumente jo në harmoni me ligjin.

Ndërkohë, këshilltari i VV-së, Ragip Fetahu, ka thënë se një rregullore të tillë nuk e ka miratuar vetëm Komuna e Podujevës, por gati të gjitha komunat dhe se kjo ishte bërë në harmoni me nivelin qendror dhe organizatën.

“Nuk ka faj as ekzekutivi që e ka sjell dhe as ne që e kemi miratuar. Bashkëkoordinator ka qenë ish-qeveria dhe ne jemi që të shfuqizohet ky vendim në bazë të kërkesës së nivelit qendror”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së mërkurë, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por deri në momentin e raportimit përgjigjet kanë munguar.

Ndërkohë, në shkresën e MFPT-së thuhet se Rregullorja nr. 01-560/03-045216/21 për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës, e miratuar më 04.06.2021 nga Kuvendi Komunal i Podujevës është pranuar më 11.06.2021 në MFPT.

“Komisioni ministror për shqyrtimin dhe vlerësimin e ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë së akteve komunale, ka shqyrtuar aktin në fjalë dhe bazuar në opinionin e datës 24.05.2021 e Zyrës ligjore të Zyrës së kryeministrit, konstatoi se akti i tillë nuk është në harmoni me Ligjin për mbrotjen e fëmijës nr. 06/L-084. Sipas kërkesës tonë, Zyra ligjore e kryeministrit ka bërë analizimin e rregulloreve për mbrojtjen e fëmijëve që po i nxjerrin komunat dhe ka dal me opinion: se sipas Ligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës nuk është paraparë nxjerrja e rregulloreve të tilla nga ana e komunave”, thuhet në shkresën e MFPT-së. “Zyra ligjore është e mendimit se duke marrë parasysh se Ligji nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës nuk ka paraparë nxjerrjen e rregulloreve të tilla nga ana e komunave, kuvendet komunale nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e tyre përveç atyre të dhëna me nenin 17 pika K të Ligjit nr. 03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, ku referohet vetëm ‘ofrimit të shërbimeve familjare dhe shërimeve të tjera të mirëqenies sociale për kujdesin fëmijëror”.

Këshilltarët komunalë të Podujevës në seancën e fundit e kanë shfuqizuar Rregulloren për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës.