Zjarret pyjore të nisura nga temperaturat e larta verore dhe dora e njeriut kanë vazhduar të përhapen edhe të mërkurën në malet e Bjeshkëve të Nemuna, qytetin e Therandës dhe në Komunën e Vitisë.
Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, ka konfirmuar për KOHËN se flakët më të rrezikshme kanë kapluar Parkun Kombëtar në Pejë - Bjeshkët e Nemuna - ku momentalisht gjenden 6 ekipe emergjente dhe të zjarrfikësve.
"Zjarre të tjera ka në Komunën e Vitisë, të cilat janë nën kontroll, dhe në Suharekë, ku gjenden 2 ekipe, njëri i zjarrfikësve dhe tjetri i emergjencës", ka bërë të ditur ai për KOHËN.
Shuarjen e zjarreve po e vështirëson mungesa e stafit të zjarrfikësve, e këtë e ka cekur edhe të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Suharekë për shpërthimin e zjarreve në këtë qytet.