2 perditesime
Kosovë

Shuhen zjarret në Shtupeq të Rugovës

Shuhen zjarret në Shtupeq të Rugovës
Nga operacioni i shuarjes së zjarrit në Bjeshkët e Rugovës, të shtunën
22:08

Shuhen zjarret në Shtupeq të Rugovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se njësitë relevante kanë bërë lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve në zonë pyjore të Shtupeqit të Rugovës.

‘’Që nga dje dhe pa ndërprerë edhe gjatë natës dhe ditës së sotme, njësitet e FSK-së në koordinim dhe bashkëveprim me njësinë e helikopterëve të KFOR-it, njësitet e zjarrëfikjes së komunave të Pejës, Deçanit, Gjakovës, Klinës, Istogut dhe Junikut si dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, kanë realizuar me sukses operacionin për lokalizimin dhe shuarjen e zjarreve në zonën pyjore të Shtupeqit të Madh në rajonin e Rugovës’’, ka bërë të ditur Mehaj në Facebook.

Ai u ka bërë thirrje banorëve të zonës dhe zonave përreth që të mos shqetësohen dhe për çdo rishfaqje të zjarreve të njoftojnë autoritetet përkatëse.

17:24

MPB: Po punohet në shuarjen e zjarrit

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjendja e vatrave të zjarrit në Shtupeq të Rugovës është lokalizuar, dhe po punohet për shuarjen e plotë.

Ministri i MBP-së, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-i janë të përkushtuar për të përfunduar me sukses.

“Njësitë e zjarrfikësve nga rajoni i Pejës dhe Gjakovës janë angazhuar me kapacitet të plotë në shuarje të zjarrit. Njëherit, në shuarje të zjarrit është angazhuar edhe Policia e Kosovës, me njësi të saj të veçanta si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës. MPB është duke koordinuar edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Mbrojtjes, KFOR-in, Komunën e Pejës dhe banorët lokalë. Qytetarët dhe prona e tyre, deri në këto momente, janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për asnjë shqetësim”, thuhet në statusin e tij.

12:37

Afro 50 hektarë tokë në Bjeshkët e Rugovës u përfshinë nga zjarri

Rreth 50 hektarë tokë në parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna, konkretisht në fshatin Shtupeq në Rugovë, janë përfshirë nga zjarri i madh i cili ishte shfaqur në mesditën e së premtes.

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koçinaj ka thënë për KOHËN se nga orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë në gatishmëri të gjitha kapacitetet vendore në mënyrë që të eliminohet menjëherë zjarri i cili mund të riaktivizohet pas shuarjes që i ishte bërë të premten.

“Sot nga orët e mëngjesit të hershem në veprim janë të gjitha kapacitetet vendore të cekura më lartë, me veprim të eliminohet rreziku i riaktivizimit të zjarrit. Dëmi i përafërt -para vlerësuar përfundimisht konsiderohet deri ne 50 ha sipërfaqe të përfshira. Vlerësimi përfundimtar bëhet pasi të përfundojë plotësisht rreziku për riaktivizim të zjarrit”, ka thënë Koçinaj.

Image
Ekipet e reagimit në gatishmëri për riaktivizim të zjarrit

Sipas tij, gjatë ditës së premte Njësitë e Zjarrfikësve, ato të FSK-së dhe Policisë nuk kanë arritur ta bëjnë shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të thepisur dhe pa qasje për shuarje nga toka.

Ai ka thënë se shuarja e zjarrit u bë e mundur falë ndihmës së ofruar nga KFOR-i i cili kishte vënë në dispozicion helikopterët për ta bërë këtë.

“Ne gatishmëri për reagim në situatë ishin ngritur edhe njësia e FSK me 28 pjesëtarë, të parkut nacional me 12 pjesëtarë, dhe pjesëtarë të NJSU - Policisë së Kosovës janë në veprim me kapacitetin e tyre. Përpjekjet për ta vënë nën kontroll zjarrin ishin të pa mjaftueshme shkaku i terrenit të thepisur dhe pa qasje për shuarje nga Toka. Andaj në koordinim me QO AME gjegjësisht QO MPB përcillet kërkesa në Qendrën e Situatave në Sekretariatin e Këshillit te Sigurisë së Kosovës për ndihmë me helikopter të KFOR- it. Ndihma u ofrua nga njësia e KFOR dhe zjarri përkohësisht u stabilizua deri në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme”, është shprehur ai.

Shuarjen e zjarrit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejë, Fadil Gashi ka thënë për KOHËN se në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia, FSK-ja, Zjarrfikësit dhe KFOR-i.

“Po, zjarri ka përfshi një pjesë të Malit të Rugovës, saktësisht te fshati Shtupeq i Madh. Zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por thuajse është lokalizuar tashmë. Zjarri ka filluar para dy ditësh, por falë intervenimit tashmë është larguar rreziku. Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshkët e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

Ndërkohë, drejtoria e parkut “Bjeshkët e Nemuna”, ka vënë në dispozicion numrin e telefonit (048/222-718) për informim në rast të paraqitjes së ndonjë zjarri eventual në territorin e këtij parku kombëtar, si dhe numrat e zakonshëm emergjentë të institucioneve tjera me rëndësi që duhet t’i keni parasysh në raste të zjarreve dhe fatkeqësive tjera natyrore: Zjarrfikësit: 193; Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192; Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094.