Arbëri

Fushata senzibilizuese nuk rriti interesimin e semimaturantëve për drejtimet e “Ali Hadrit”

As 20 për qind e numrit të nxënësve të planifikuar për regjistrim në klasat e dhjeta nuk ka arritur të i regjistrojë në afatin e parë shkolla e mesme ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, e cila nga viti në vit është duke e humbur interesimin e semimaturantëve për regjistrim në ndonjërin prej gjashtë drejtimeve profesionale (teknologjisë ushqimore, agrobiznes, hotelieri dhe turizëm, administratë, juridik dhe ekonomi) me gjithsejtë 15 profile që ofron kjo shkollë.

Kishin planifikuar të regjistrojnë 456 nxënës në klasat e dhjeta dhe janë regjistruar vetëm 88 nxënës, aq edhe sa kishin aplikuar.

Janë së paku gjashtë vjet që në vazhdimësi po bie interesimi për regjistrim në këtë shkollë, e cila ka mbetur si një lloj “gome rezervë” për semimaturantët

nëse nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaz apo shkollën e mesme të mjekësisë, të cilat kryesisht preferohen prej tyre.

Për rritjen e interesimit për drejtimet e kësaj shkolle profesionale u ka shkuar huq edhe fushata senzibilizuese e zhvilluar gjatë muajit maj me semimaturantë dhe prindërit e tyre.

Në përpjekje për të motivuar e inkurajuar nxënësit e klasave të nënta të 27 shkollave fillore të Pejës, kishin organizuar edhe vizita të nxënësve në këtë shkollë dhe kabinete të shkollës.

“Prapë nuk ka interesim për regjistrim në shkollën ekonomike. Kemi investuar aq shumë në kabinete dhe prapë nuk ka interesim. Duket se këto drejtime që i kemi nuk janë aq tërheqëse për nxënës”, shprehet drejtori i kësaj shkolle, Arif Ademaj. Ai shpreson që në afatin e dytë të regjistrimit, në fund të muajit gusht të i plotësojnë vende të lira, megjithëse siç thotë Ademaj, për vitin e ardhshëm shkollor gjithsesi duhet ta bëjnë një analizë dhe të i rishikojnë drejtimet. “Duhet të shikojmë të bëjmë diçka me Drejtorinë e Arsimit, që bënë planifikimin, dhe me Ministrinë e Arsimit me i rishikua këto drejtime, sepse fëmijët nuk po kanë interesim për këto drejtime”, thotë Arifaj. Mirëpo, mendim tjetër ka Drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, sipas të cilit të gjitha drejtimet janë të mira dhe të plotësuara me kabinete. “Duhet drejtoria e shkollës ta kontrollojnë një herë punën e vet dhe punën e shkollës pse nuk ka interesim të nxënësve aty, kur janë gjitha ato investime e ato drejtime të mira e të kapshme për tregun e punës. Pra duhet edhe shkolla vet me analizua punën e vet, mos ata po bëjnë gabime”, thotë Avdimetaj.

Joshja e semimaturantëve për regjistrim në shkollën ekonomike, ishte mbështetur edhe nga OJQ “Syri i Vizionit” nga Peja me projektet e ndryshme të saj, e cila ndër të tjera ka hapur në këtë shkollë edhe “Qendrën e Karrierës”, më qëllim të mbështetjes së kësaj shkollës në orientimin e nxënësve në karrierë duke ofruar këshilla rreth profesioneve më të kërkuara dhe shfrytëzimin e potencialit të tyre për të arritur aspiratat e tyre në karrierë. Dukagjin Nishiqi nga OJQ “Syri i Vizionit”, i cili është edhe koordinator i projekteve që ndërlidhen me shkollën ekonomike, mendon se në afatin e dytë të regjistrimit mund të ndryshojë gjendja, pasi sipas tij në afatin e parë shumica e nxënësve aplikojnë në gjimnaz dhe ata të cilët nuk regjistrohen, pastaj i zgjedhin shkollat profesionale.

“Zakonisht ashtu ndodh, pasi qe një numër i madh mbesin pa regjistrua në gjimnaz ose mjekësi dhe vazhdojnë në shkollat profesionale. Arsye tjetër është që çdo vit po bie numri i nxënësve si pasojë e rënies së natalitetit dhe rritjes së migrimit”, tregon Nishiqi një arsye tjetër që sipas tij po ndikon në numrin e ulët të nxënësve të interesuar për regjistrim në shkollën ekonomike. Mirëpo, numri i nxënësve sipas të dhënave në Drejtorinë e Arsimit, nuk është edhe aq i lartë që do të mund të ndikonte në numrin e ulët të semimaturantëve për degët në shkollën ekonomike. “Sivjet kanë kryer klasat e nënta 1 mijë e 360 nxënës, ndërsa vjet kanë qenë rreth 1 mijë e 400 që kanë kryer klasat e nënta”, tregon zyrtarja në Drejtorinë e Arsimit, Shqipe Karagjyzi numrin e nxënësve që kanë kryer shkollën fillore dy vitet e fundit. Ajo tregon se në afatin e parë të regjistrimit në klasë e dhjetë në katër shkolla të mesme janë plotësuar vendet. “Për planifikim, vetëm në shkollën teknike dhe atë ekonomike ka vende të lira për regjistrim në klasat e dhjeta. Në shkollën teknike janë planifikuar 575 nxënës të regjistrohen. 270 janë regjistruar dhe kanë mbetur edhe 305 vende të lira. Në shkollën ekonomike janë planifikuar të regjistrohen 456 nxënës në klasat e dhjeta, por vetëm 88 janë regjistruar dhe kanë mbetur edhe 368 vende të lira. Vetëm në këto dy shkolla profesionale kanë mbet vende të pa plotësuar, derisa në gjimnaz, në shkollën e arteve, në mjekësi dhe shkollën e muzikës, janë plotësuar vendet e lira”, thotë Karagjyzi.