Arbëri

Mospjesëmarrja e qytetarëve në debate ia vështirëson planifikimin buxhetor Komunës së Shtimes

Komunës së Shtimes shpesh po i dështojnë debatet publike me qytetarët.

Në muajt e fundit nuk u mbajtën pesë debate rreth planifikimit të buxhetit për Kornizën Afatmesme Buxhetore.

Qytetarët dhe monitoruesit nga shoqëria civile thonë se Komuna shpesh nuk i shqyrton kërkesat e tyre, gjë që ua ka humbur besimin ndaj institucioneve.

Azem Jahiri, përfaqësues i fshatit Godanc të Komunës së Shtimes, ka thënë se ata shpeshherë e takojnë kryetarin e Komunës për të debatuar rreth problemeve të fshatit, ndërkohë që në debate publike nuk po marrin pjesë.

“Dështojnë sepse janë zhgënjyer edhe njerëzit me politika të rrejshme dhe me shumë sene të tjera. Dhe për atë arsyeje njerëzit janë të zhgënjyer se nuk e dinë kah t’ia mbajnë. Duhet të përfillen këto sene sepse kur ta thotë një fjalë por nuk realizohet, andaj në debat publik shko sa të duash por nuk e realizon atë”, ka thënë Jahiri.

“E dinë se mbahen debatet me qytetar, por shpeshherë nuk marrim pjesë sepse nganjëherë nuk informohemi, por jemi të angazhuar me punë si bujq dhe nuk mundemi të arrijmë të dëgjojmë këto debate. Ka qenë mirë të marrim pjesë në këto debate por e thash se kryetari i komunës është i afërt këtu dhe i din brengat e popullatës këtu”, është shprehur banori i fshatit Godanc, Naim Ademi.

Në anën tjetër, organizata joqeveritare “YAHR”, që monitoron planifikimin e buxhetit në Komunën e Shtimes, ka kërkuar nga Komuna të iniciojë një fushatë sensibilizimi.

“Ne si organizatë do të punojmë në këtë aspekt që në njëfarë forme t’i sensibilizojmë qytetarët që t’i shfrytëzojnë këto mekanizma që ua mundëson ligji dhe Kushtetuta për adresimin dhe nevojat e prioriteteve të qytetarëve”, është shprehur Bekim Krasniqi, monitorues nga YAHR.

Krasniqi ka shtuar se për vitin e ardhshëm kjo komunë ka planifikuar afër 2 milionë euro për investime kapitale, andaj qytetarët e kanë të drejtën që të bëjnë propozime për realizimin e projekteve të qytetarëve.

E Lulzim Sahiti, zëdhënës i Komunës së Shtimes, ka thënë se njoftimet rreth debateve publike përherë bëhen me kohë, por pjesëmarrja e qytetarëve vazhdon të jetë e vogël.

“Kërkesa jonë është që të marrin pjesë sa më shumë në këto debate sepse sa më shumë që diskutohet për problemet e tyre në fshat apo lagje për nevojat e tyre të infrastrukturës apo për nevoja të tjera, edhe projekti është më i qëndrueshëm sepse edhe ata e dinë më mirë se çka kanë nevojë por edhe për neve është një lehtësim për të ardhmen sepse bëhen investimet adekuate për nevojat e tyre”, ka deklaruar Sahiti.

Zëdhënësi Sahiti ka shtuar se pavarësisht se pjesëmarrja e qytetarëve është e vogël, kryetari i Komunës, Naim Ismajli, për çdo ditë pret në takim banorët e fshatrave me të cilët debatojnë për projekte të ndryshme infrastrukturore në interes të qytetarëve.