Arbëri

PDK-ja kritikon komunën për “projekte kozmetike” në kohën kur banorët nuk kanë ujë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Lipjan, njëherësh këshilltar në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Argjend Tasholli, nëpërmjet një konference për media të hënën, ka akuzuar ekzekutivin e Komunës për mungesë të ujit të pijshëm në disa fshatra.

Ai ka kritikuar se qeverisja lokale, fokus po i jep projekteve “kozmetike”, si asfaltim të rrugicave dhe ndriçimit publik, derisa qytetarët po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Ai tregon se rreth temës për mungesë të ujit të pijshëm ka folur edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit, por sipas tij, kërkesat nuk janë marrë parasysh.

“Si opozitë kemi pranuar shumë kërkesa nga banorët e dhjetëra fshatrave të cilwt po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Shumë fshatra nuk e kanë fare rrjetin e ujësjellësit. Sa i përket kërkesave të banorëve të fshatit Shalë, ata prej afro tetë vitesh nuk kanë fare ujë të pijshëm, megjithëse e kanë të vendosur rrjetin e instaluar nga ish qeverisja e PDK-së. Pra këtu kemi mungesë të investimeve nga ekzekutivi për mirëmbajtje dhe hapje të puseve të reja. Ndërkohë, qeverisja po planifikon ndërtimin e ndriçimit publik, pikërisht në këtë fshat, kurse banorët nuk kanë fare ujë të pijshëm”, ka thënë Tasholli.

Sipas tij, “projektet kozmetike” të ekzekutivit nuk i zgjidhin problemet e qytetarëve me arsyetim se ata kanë nevojë për projekte primare.

“Po ashtu telashe me rrjetin e ujësjellësit kemi edhe në fshatin Gadime, derisa uji shpeshherë ndërpritet dhe me orë të tëra banorët mbesin pa ujë. E gjithë kjo si pasojë e mungesës së kapaciteteve për furnizim, andaj komuna duhet të bën investime për hapje të puseve të reja me qëllim që qytetarët të kenë furnizim 24 orë”, ka thënë më tej Tasholli. Ai ka bërë me dije se telashe të tilla me ujë kanë edhe banorët e fshtrave Resinovc, Krojmir dhe disa lokalitete të tjera.

“Kemi edhe shumë lokalitete të tjera përfshirë edhe Janjeven, derisa banorët kanë dërguar foto se si po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Këta banorë po furnizohen nga burime natyrore duke bartur ujë prej largësisë, andaj kërkojmë nga komuna ta ketë në prioritet përmirësimin e gjendjes me ujë të pijshëm, sepse edhe vetë qyteti i Lipjanit shpeshherë po mbetet pa ujë shkaku i mungesës së kapaciteteve furnizuese”, ka kritikuar ai.

Ndërkohë, KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, por ai nuk ka qenë i qasshëm.