Arbëri

Pushteti në Obiliq akuzohet për zvarritjen e procesit të dhënies së banesave për veteranë e invalidë

Veteranë e invalidë të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së në Obiliq kanë protestuar para objektit komunal për zvarritjen e procesit të dhënies së banesave për këto kategori në objektin kolektiv Hade 1 dhe 2. Ata thonë se edhe pse ky proces ka përfunduar më 30 prill të këtij viti dhe janë përzgjedhur përfituesit, zyrtarët komunalë qëllimisht nuk po e publikojnë listën dhe se tash po kërkojnë që t’i shpallin fituese familjet e dëshmorëve, ndaras nga veteranët e invalidët

Të pakënaqur janë shprehur veteranët e invalidët e UÇK-së me vonesën për dhënien e banesave për këto kategori nga Komuna e Obiliqit në objektin kolektiv Hade 1 dhe 2. Përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, nëpërmjet një proteste të organizuar para objektit komunal e kanë akuzuar kryetarin Xhafer Gashi, se po bën presion për ta shpallur listën vetëm me përfitues të familjeve të dëshmorëve. Ndërkohë, ata thonë se konkursi ishte shpallur për të tria kategoritë përnjëherë dhe se ky proces është përmbyllur më 30 prill të këtij viti.

“Këtu është një tubim i këtyre shokëve, të cilët e kanë kuptu se janë përfitues të banesave më 30 prill. Shumë kemi pasë takime, kemi qenë gjithherë në mirëkuptim me kryetarin e komisionit, Ibush Mjekiqi, edhe më 30 prill unanimisht, krejt komisioni kemi nënshkruar që janë përfitues të banesave familjet e dëshmorëve pa kriter edhe invalidë e veteranë, ata që na kemi mendu se duhet me ua dhënë, me përfitu”, ka thënë kryetari i Shoqatës së veteranëve të UÇK-së në këtë komunë, Fehmi Mjeku.

Sipas tij, edhe pse kanë kaluar dy muaj, komunarët nuk e kanë publikuar atë listë me përfitues të banesave.

“Prej 30 prillit që kemi marrë vendim që me dalë lista e përfituesve e kanë zvarritë deri më 21 të këtij muaji. Më 21 ka kërku mirëkuptim (Ibush Mjekiqi v.j.), ka qenë i shtyrë prej dikujt, unë e di edhe prej kujt, u kanë i shtyrë prej kryetarit të Komunës, Xhafer Gashi, që me zvarritë këtë komision, këtë vendim që mos me dalë lista përfituese. Më 21 kanë lyp me i nda familjet e dëshmorëve prej veteranëve dhe invalidëve edhe s’kemi pranu, se nuk ndahen. Nuk i kemi nda në luftë, nuk i kemi nda as pas luftës dhe nuk do t’i ndajmë deri në vdekje”, ka theksuar Mjeku.

Kryetari i Shoqatës së veteranëve të UÇK-së në Obiliq thotë se në banesat Hade 1 dhe 2 përfitues të asaj liste janë përfitues 23 invalidë dhe veteranë dhe të gjitha familjet e dëshmorëve, rreth 15.

“Diku më shumë se 13 familje të dëshmorëve se kanë hyrë, edhe do dëshmorë pasi ka përfundu lufta, para 4-5 vjetësh. Nuk jemi kundër tyre, por jemi kundër atyre që na i kanë ndarë kategoritë e dala nga lufta. Pra publikisht po iu bëj ftesë, unë jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo njërin në komunë për këto zvarritje që po i bëjnë për veteranë dhe invalidë. Kemi veteranë që është me fëmijë me hendikep, kemi veteranë që është me banesë me qira, dhe kemi veteranë që nuk ka asgjë para shpirti 22 vjet pas luftës. Kemi veteranë që nuk kemi të punësuar”, është shprehur Fehmi Mjeku.

Edhe kryetari i Shoqatës së invalidëve të UÇK-së në Obiliq, Arif Krasniqi, ka thënë se ky proces është zvarritur edhe më herët nga viti 2016, duke u anuluar e rihapur konkursi për dhënien e këtyre banesave.

“Është përpilu lista, i kemi vendosë përfituesit kush janë, dhe lista përfituese me procesverbal është nënshkrua prej 7 anëtarëve të komisonit dhe është dhënë fjala prej kryetarit të komisionit që javën e ardhshme do të publikohet. Ajo nuk ka ndodhë. Ne e kemi obligim ndaj anëtarëve tonë që t’iu japim llogari se çka po ndodh. Por, sidomos prej dje janë bërë lojëra që unë mund të them lirisht lojëra politike edhe pse nuk kemi të bëjmë me politikë, mirëpo u janë premtu shumë njerëzve që nuk kanë qenë përfitues në atë listë, iu kanë premtu që do të hyjnë në listë edhe jo ligjërisht edhe me i fut aplikacionet si dinë këta vetë”, ka theksuar Arif Krasniqi. “Na i kanë ndarë familjet e dëshmorëve. Na kur kemi qenë në luftë kemi qenë të gjithë bashkë. Falë dëshmorëve ne jemi këtu ku jemi sot. Aplikimi kur është bërë është bërë për të gjitha kategoritë përnjëherë, jo të ndarë. Edhe pse dje jemi dalë prej komisionit, ne kemi kërku që të gjitha listat me u publiku bashkë, pa i ndarë. Këta po mundohen me mohu që nuk është përfundu. Ekziston procesverbali me nënshkrimet tona”.

Kryetari i Shoqatës së invalidëve të UÇK-së në Oiliq thotë se i kanë kërkuar kopjet e procesverbalit, por nuk ua kanë dhënë.

“Nuk na i dhanë me arsyetimin se duhet të bëjmë kërkesë zyrtare. Përfaqësues kemi qenë veç na dy të shoqatave të dala nga lufta edhe me vota e vendosën 4 me 2 që me u publikua lista e dëshmorëve pa këta (veteranët e invalidët v.j.). Ne nuk e kemi pranu këtë dhe kemi dalë demonstrativisht dhe iu kemi dhënë kohë me u mendu deri në gjysmë ore dhe nëse tërhiqen nga ajo që e bën ndarjen e dëshmorëve, ne pranojmë me vazhdu procesin edhe pse është i përfunduar”, ka thënë Krasniqi.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës, Ibush Mjekiqi, i cili është edhe kryesues i komisionit për dhënien e këtyre banesave ka thënë se procesi i përzgjedhjes nuk ka përfunduar ende dhe është në procedurë. Ai e ka mohuar se kjo zvarritje po bëhet për shkak të presionit nga kryetari Xhafer Gashi.

“Ne e dimë që ky proces pak është zvarritë, sepse të gjithë jemi duke harruar se viti i kaluar ka qenë vit pandemik dhe viti më i rëndë prej pasluftës që mbaj mend unë, të tjerët ndoshta e kanë harruar, unë s’e kam harru, ka qenë vit i rëndë dhe nuk kemi mund me punu. Tash kemi fillu, jemi në procedurë e sipër, i kuptoj shqetësimet e organizatave të dala nga lufta dhe i kuptoj këto familje, por sido që të jetë ne jemi në procedurë e sipër për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, ka thënë Ibush Mjekiqi. “Unë nuk kam presion prej asnjë njeriu, sepse jam person i cili nuk i nënshtrohet presionit. Jam i përgatitur të punoj edhe nën presion, por nuk kam presion prej askujt. Presioni im i vetëm është që sa më mirë ta përfundoj këtë proces. Absolutisht, me siguri të plotë dhe përgjegjësi të plotë deklaroj, unë nuk kam presion prej askujt”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së kanë thënë se nëse zyrtarët komunalë nuk i marrin parasysh vërejtjet e tyre, herën tjetër nuk e kanë përjashtuar mundësinë që protesta tjetër të jetë e dhunshme. Sipas tyre, edhe në konkursin për dhënien e banesave për kategoritë sociale, zyrtarët komunalë u kanë dhënë banesa edhe pasanikëve, militantëve të partisë dhe familjarëve të zyrtarëve komunalë.