Arbëri

BE-ja premton investime miliardëshe për komunat e Anamoravës

Të harruar nga niveli qendror e ai lokal po ndihen banorët e Komunës së Parteshit, shumica e të cilëve janë të komunitetit serb. Ata shpresojnë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do t’u sjellin dobi. Këtë komunë të martën e vizitoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili premtoi investime miliardëshe për Komunën e Parteshit dhe për komunat përreth

Në magjistralen që lidh Komunën e Gjilanit me atë të Ferizajt gjendet edhe një komunë tjetër, ajo e Parteshit. Aty bien në sy kisha ortodokse dhe emërtimet e rrugëve me emra të personaliteteve të komunitetit serb.

E pikërisht Parteshi ka qenë destinacioni i radhës i shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, një ditë pas vizitës në Janjevë.

Për këtë komunë, e cila ka mbi 300 shtëpi të banuara kryesisht me serbë, dhe të tjerat në këtë rajon u premtuan miliarda euro investime nga Bashkimi Evropian. Por banorët e kësaj pjese nuk është se shfaqen entuziastë me nivelin e investimeve, meqë, siç thonë ata, shumica e të rinjve tashmë kanë ikur jashtë vendit. Madje, ata presin që dialogu Kosovë-Serbi të prodhojë efekte pozitive në jetën e tyre.

Sima Simiq, banor i kësaj komune, thotë se shpresojnë se do të bëhet diçka mirë në bisedimet për dialog.

“Mbase do të duhej që të shkonte ndonjë gjë për më mirë tani. Do të duhej. Po flitet... e dini rendi është që të bëhet më mirë, prej kësaj s’ka se ku shkohet më. Mendoj se do të bëhet më mirë”, shprehet ai.

E një tjetër banor, Ilia Petkoviq, thotë se jeton i vetëm dhe se askush nuk i ka ndihmuar për asgjë.

“Kurrkush këtu as që interesohet për ty. Jam i vetëm, gruan nuk e kam, krejt vetëm jam. Fëmijët i kam të gjithë në Zvicër, gruaja më ka vdekur para tre vjetësh... Po çfarë ndihmash, nuk ka gjë nga kjo punë... Të them, krejt shkojnë dorë pas dore, me të njohshëm. S’ka gjë”, thotë ai.

E zyrtari i lartë i BE-së, Tomas Szunyog, ka thënë se fondet që BE-ja do t’i ndajë për këtë pjesë do t’i ndihmojnë njerëzit që të aftësohen për punë.

“Dëshiroj të theksoj që jemi duke u përgatitur për fazën e re për fondet e IPAS. Natyrisht, implementimi i këtyre projekteve është duke vazhduar nga periudhat paraprake, që do të thotë që deri më 2022 do të jemi duke zbatuar projekte. Jemi në një fazën të re për realizimin e projekteve me fondet e IPAS, që kanë nisur këtë janar projektet që parashihen të zbatohen për 7 vjet, e që për gjithë rajonin janë të paraparë 14 miliardë euro”, shprehet ambasadori i BE-së.

Rreth takimit mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiq, zyrtari evropian Szunyog tha se nuk ka diçka të re që mund të komentojë.

“Do të ketë një deklaratë në Bruksel, kur ky raund specifik të marrë fund, por e përsëris nuk është kjo asgjë e re dhe vlerësoj se nuk ka asgjë të re në qëndrimin e BE-së në publik. Më duhet të pres derisa të komentohet nga Brukseli”, thotë ai.

Gjatë së martës, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka marrë pjesë edhe në një takim ndërkomunal në Qendrën për Edukim Profesional, projekt ky i financuar nga BE-ja. Aty ishin të pranishëm kryetarë të komunave të Vitisë, Ranillugut, Kllokotit e Parteshit. Ata konfirmuan bashkëpunim mes përfaqësuesve lokalë, por se, sipas tyre, mungojnë investimet nga niveli qendror.