Arbëri

Komuna e Malishevës ankohet për mosalokim të buxhetit për investime kapitale

Descriptive Text

Komuna e Malishevës është ankuar se ende nuk i janë alokuar mjetet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për investime kapitale.

Përmes një komunikate për media, komuna thotë se mosalokimi i buxhetit, do të sjellë probleme serioze për komunën, pasi do të ketë vështirësi të mëdha në realizimin e planifikimeve për investime kapitale për këtë vit, sepse pa alokim të buxhetit, nuk mund të zhvillohet asnjë procedurë për realizimin e tyre.

“Ne e konsiderojmë veprim të papërgjegjshëm të ministrisë përkatëse dhe ministrit Hekuran Murati, pasi nuk ka kuptim që lënda e buxhetit të një komune, të qëndroj me muaj të tërë në ‘shqyrtim’ dhe të mos derdhen mjetet për investime kapitale. Kërkojmë nga kryeministri i vendit, z.Kurti, që të merr veprime të menjëhershme për zhbllokimin e kësaj situate të krijuar nga ana e kësaj ministrie dhe ministrit Murati, dhe mjetet për investime të alokohen për Komunën e Malishevës. Nëse kjo situatë vazhdon edhe për disa ditë, atëherë, është e pamundur të realizohen projektet, dhe ne e konsiderojmë veprim me prapavijë nga ana e ministrisë, pasi përmes këtij veprimi, po tentohet që qëllimshëm të ndodh kjo gjë, dhe mjetet e ndara për komunën tonë të shkojnë në suficit”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, mosrealizimi i projekteve, që bëhet fjalë për rreth tre milion euro, do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik në Malishevë. Edhe ashtu, sipas komunës, shumë projekte nga niveli qendrorë për Malishevën, janë ndalur dhe disa tjera në realizim e sipër, gjithashtu janë ndalur, e tani është e pamundur që edhe projektet komunale të realizohen, pasi MFPT ende nuk po alokon buxhetin për investime kapitale për Komunën e Malishevës.

“Për sqarimin e drejtë të opinionit, Komuna e Malishevës, ka dorëzuar lëndën më 13.04.2021 për bartjen e mjeteve nga kategoria e rezervës në projekte kapitale. Gjatë kësaj periudhe, Komuna e Malishevës disa herë e ka kontaktuar zyrën e ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por në asnjë rast ministri Murati, nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, dhe përgjigjja e vetme, që tash e kohë të gjatë na jepet nga kabineti ministrit, është kjo: ‘lënda është duke u shqyrtuar’! Ministri i kësaj ministrie, asnjëherë nuk ka shprehur gatishmërinë e tij që personalisht ta sqaroj situatën e krijuar, dhe as ministria asnjëherë nuk është përgjigjur me shkrim, pavarësisht e-maileve që drejtoria i ka dërguar ministrisë”, thuhet në njoftim.