Banorët e lagjes “Ali Beqa” dhe disa lagje përreth në Komunën e Ferizajt, prej disa muajsh po përballen nga kundërmimi i një deponie të mbeturinave dhe e inerteve e cila nuk po pastrohet nga askush.
Sipas qytetarëve, deponia është shkaktuar nga vetë banorët që shpeshherë hedhin mbeturinat pas renovimeve të shtëpive.
Në anën tjetër në Komunën e Ferizajt, kanë thënë se disa herë është pastruar kjo deponi e cila gjendet afër disa institucioneve shkollore, mirëpo qytetarët sërish po i hedhin mbeturinat aty. Madje, sipas zyrtarëve komunalë, në këtë lokacion, inspektorët kanë shqiptuar edhe gjoba ndaj hedhësve të mbeturinave.
Granit Tasholli, banor i kësaj lagje, ka thënë se është shqetësuese se për çdo ditë fëmijët e frekuentojnë rrugën përgjatë së cilës është formuar kjo deponi.
“Kjo deponi është bërë nga qytetarët të cilët më së shumti po i hedhin mbeturinat pas renovimeve të shtëpive sepse vërehet se këtu ka edhe pllaka dhe pajisje të vjetra të sanitarisë. Ne kërkojmë që sa më shpejtë të pastrohet kjo deponi sepse këtu afër gjenden dy shkolla fillore dhe të mesme dhe po ashtu universiteti i Shkencave. Këtë rrugë më së shumti e frekuentojnë fëmijët që shkojnë në shkollë, prandaj kërkesa jonë duhet të shqyrtohet me urgjencë nga komuna”, ka thënë Tasholli.
Në anën tjetër Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt ka thënë se disa herë është pastruar kjo deponi, por sërish disa qytetarë po hedhin mbeturina të ndryshme.
“E kemi pastruar, por sërish do ta pastrojmë këto ditë sepse kemi pranuar shqetësime nga banorët. Mirëpo, edhe për neve është shqetësuese se qytetarët sërish po hedhin mbeturina aty pavarësisht se ka pasur shqiptim të gjobave nga inspektorët. Ne kërkojmë nga qytetarët të bashkëpunojnë me komunën për t’i identifikuar ata që hedhin mbeturina përgjatë kësaj rruge”, ka thënë Halili.
Sipas tij, Komuna në bashkëpunim me organizatën “GIZ” dhe me kompaninë publike për menaxhimin e mbeturinave në Ferizaj kanë identifikuar rreth 50 deponi të tilla, derisa shumica prej tyre tashmë janë pastruar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.