Arbëri

Dhoma e gatshme në QMF-në e Raushiqit qe katër vjet pret stomatologun

Dhoma me pajisje moderne për shërbime të stomatologjisë në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Raushiq të Pejës, qe katër vjet është në pritje të një stomatologu. Konkretisht, prej vitit 2017 kur është përuruar objekti i ri i kësaj QMF-je e deri më sot, nuk u është ofruar banorëve ky shërbim mjekësor në mungesë të stomatologut. Ky shërbim u ishte premtuar banorëve të fshatrave që mbulon kjo QMF, pasi në objektin e vjetër të saj nuk ka pasur stomatolog, raporton Koha.net.

Mirëpo, karrigia moderne për shërbime dentare ende është e mbështjellë me najlon dhe e mbuluar me çarçaf që të mos pluhuroset. Mjekja familjare, Zize Hakaj - Veselaj, e cila është edhe shefe e kësaj qendre shëndetësore në Raushiq, tregon për KOHËN se vazhdimisht ka kërkuar për stomatolog, por sipas saj deri tash asgjë nuk ka.

“Me pajisjet e stomatologjisë jemi pajisë që katër vjet. Që katër vjet jemi duke kërkuar stomatolog, por stomatolog ende nuk ka. E kërkesa për stomatolog ka shumë, sepse kjo qendër mbulon disa fshatra. Por shumë pacientë që vijnë e kthehen pa marr shërbim në mungesë të stomatologut, e pastaj atyre po u duhet të shkojnë në Pejë te stomatologu. Por as ky fakt deri tash nuk ka ndikuar te Drejtoria e Shëndetësisë të punësojë këtu një stomatolog”, ka thënë Hakaj-Veselaj.

Sipas saj, kjo QMF ka nevojë për stomatolog edhe për arsyen se shkolla fillore e fshatit gjendet afër dhe kishte mund të promovohet edhe shëndeti oral të fëmijët.

Mjekja Hakaj-Veselaj shpreh dyshimet e saj se dhoma ka mbetur ende e zbrazët pasi stomatologët nuk po pranojnë të shkojnë në fshat të punojnë.

“Në Poliklinika e Stomatologjisë në Pejë ka mjaft stomatolog, por ata nuk po pranojnë të vijnë me punu në këtë QMF”, pohon ajo, duke e rikujtuar premtimin e drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, ditën e përurimit të objektit para katër viteve, se së paku një herë në javë do të shkojë një stomatolog nga Poliklinika e Stomatologjisë në Pejë, derisa të kryhet konkursi dhe të pranohet stomatologu i rregullt.

Mirëpo, drejtori i Shëndetësisë, ka mohuar që QMF-ja në Raushiq ka mbetur pa stomatolog për shkak se stomatologët s’po pranojnë të shkojnë në QMF-në në Raushiq.

“E vërteta është se në QMF në Raushqit nuk ka pasur përpara stomatolog dhe është degë e re dhe ne nuk kemi pasur të drejtë të shpallim konkurs për vetëm një stomatolog, Por është dashtë të presim që të rritet numri për stomatologët e nevojshëm që të shpallet konkursi. E në momentin kur kemi dashtë ta funksionalizojmë vitin e kaluar edhe dhomën e stomatologjisë në Raushiq, u shfaq pandemia dhe u dashtë të orientohemi në angazhimin e mjekëve dhe infermierëve”, tregoi Loci.

Loci thotë se që nga vitin 2016 nuk ka pasur konkurs për stomatolog dhe se tash është punuar plani i nevojave për personel mjekësor në shëndetin primar, përfshirë edhe numrin e stomatologëve të nevojshëm për punësim.

“Janë krijuar disa vende pune për stomatolog. Këtë muaj ka dal në pension stomatologu i QMF-së në fshatin Baran, që ka mbuluar fshatrat e Lugut të Baranit. QMF në Raushiq ka nevojë për stomatolog. Në QMF në lagjen Karagaq është vetëm një stomatolog e duhen dy për dy ndërrime, njëjtë sikurse edhe në QMF-të në lagjen Fidanishte dhe Taphane, si dhe në QMF-në në fshatin Vitomiricë. Pra kemi llogaritë që duhet të pranohen pesë deri në tetë stomatolog të ri”, ka thënë Loci.

Mirëpo, kjo sipas tij nuk do të ndodh sivjet, por vitin e ardhshëm, kur sipas Locit edhe është planifikuar të hapet konkursi për këta stomatologë. Loci beson se nuk do të ketë probleme për punësimin e tyre, pasi në treg ka mjaft stomatologë.