Arbëri

Komuna e Pejës nuk e ka paraparë krijimin e parqeve të biznesit në 8 vjetët e ardhshëm

Krijimi i parqeve të bizneseve nuk është paraparë nga Komuna e Pejës për tetë vjetët e ardhshëm.

Me planin e vet zhvillimor 2020-2028, kjo komunë vetëm ka përcaktuar tri zona për zhvillimin e tyre dhe të industrisë.

Njëra zonë shtrihet në hyrje të qytetit nga drejtimi i Prishtinës. Si zonë tjetër është paraparë edhe lokacioni mes fshatrave Zahaq dhe Sferk, si dhe një pjesë e hapësirave në fshatin Brestovik.

E, përgjatë rrugës për Deçan, në dalje të qytetit, në fshatin Bellopojë e deri në fshatin Raushiq, ku tashmë veprojnë disa biznese, siç thotë drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, kërkesat e qytetarëve janë që të bëhet zonë banimi.

Por, në nga tri zonat e parapara për zhvillim të industrisë, nuk ka kurrfarë kushte infrastrukturore, e të cilat, siç pohon Arapi, parashihen me planin zhvillimor.

“Plani zhvillimor komunal: te zonat e biznesit dhe zonat industriale është paraparë që të ofrohet infrastrukturë, rrugët, kanalizimet, rrjeti i ujësjellësit... e gjitha tjerat që ua mundësojnë qytetarëve e bizneseve të zhvillojnë funksionin normalisht”, ka thënë Arapi.

Për ndërtimin e gjithë kësaj infrastrukture që parashihet me planin zhvillimor, Komuna nuk ka ndarë ende asnjë cent.

“Plani zhvillimor komunal ka hyrë në fuqi vitin e kaluar dhe deri më tani ne nuk kemi pas ndarje buxheti. Është mundësia që me fillimin e planifikimit buxhetor për vitin 2022 të kemi mundësi që të futen në linja buxhetore”, ka thënë drejtori i Financave, Jeton Abazaj.

Këshilltari i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Pejës, Blerim Krasniqi, i cili është edhe pronar i një biznesi me 30 punëtorë, e konsideron joserioze qasjen e Komunës me planifikimet e saj zhvillimore.

“Nëse ne nuk kemi një mbështetje ose një vizion pak ma të qartë për mbështetjen e infrastrukturës prej anës së pushtetit lokal, për neve gjithsesi është shumë, shumë, ma vështirë se na duhet të planifikojmë 5, 10 ose 20 vjet për zhvillim të biznesit, e përderisa nuk ki infrastrukturë atëherë duhet me mendu edhe për infrastrukturën”, ka thënë Krasniqi.

Në periudhën e paraluftës, Peja ishte një prej qyteteve më industrinë më të zhvilluar në Kosovë.