Funksionimi i deritanishëm i këshillave të fshatrave, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, ka qenë i papranueshëm për secilin qytetar të Komunës së Podujevës. Sipas tyre, përveçqë ka qenë i politizuar, në shumicën e rasteve kryetarë të fshatrave kanë qenë kryetarët e degës së një partie. Ata kanë mirëpritur nismën që në këshillat e fshatrave e të lagjeve urbane të zgjidhen përfaqësues që mbrojnë interesat e qytetarëve e jo të partive
Përfaqësues të shoqërisë civile në Podujevë e kanë mirëpritur nismën e Kuvendit Komunal për të miratuar Rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Ata kanë thënë se deri tash ka pasur vetëm përfaqësues të emëruar politikë, ndërkohë që tash thonë se me Udhëzimin Administrativ kjo praktikë do të eliminohet. Kuvendi Komunal në mbledhjen e fundit ka votuar pro vënies në dëgjim publik të propozim-rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Podujevës.
Drejtori ekzekutiv i Demokracia Fillon Këtu (DFK), Shemsi Jashari, thotë se ka tre vjet që kërkon miratimin e kësaj rregulloreje.
“Tani jemi të kënaqur për nismën për vënien në diskutim publik të propozim-rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës. Është shumë e mirëseardhur pas aq shumë vonesave që qëllimisht pushteti i kaluar i LDK-së i kishte bërë. Dhe arsyeja e vetme pse ishin vonuar dhe nuk ishte proceduar kjo rregullore ishte fakti se të gjithë përfaqësuesit e fshatrave ishin të emëruar politikë dhe të dëgjueshëm të pushtetit”, ka theksuar Shemsi Jashari.
Sipas tij, këta përfaqësues të fshatrave dhe lagjeve nuk komunikonin me qytetarët, por zbatonin direktivat e pushtetit.
“Prandaj kjo ishte keq dhe joproduktive. Tashmë vënia në diskutim publik e kësaj rregulloreje jep shpresë se do të miratohet shpejt dhe po ashtu zgjedhja e këshillave të fshatrave të bëhet në mënyrë të rregullt dhe sipas vullnetit të banorëve. Këta përfaqësues që do të zgjidhen duhet të jenë apolitikë dhe të jenë të angazhuar për të mirën e lagjes së vet. Këta këshilla duhet të kenë gjithëpërfshirje të lagjeve dhe banorëve pa dallim dhe të jenë aktivë për planet, projektet dhe investimet kapitale që Komuna i bën në lokalitete të ndryshme të Komunës”, është shprehur drejtori ekzekutiv i DFK-së.
Vënien në diskutim publik të kësaj propozim-rregulloreje e ka mirëpritur edhe Rexhep Zeka nga Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK).
“SDK, Rregulloren për zgjedhjen e këshillave lokalë e sheh si njëri ndër aktivitetet më të rëndësishme që ndodh në një komunë. Me zgjedhjen e këshillave të fshatrave dhe vendbanimeve urbane qytetari është më afër vendimmarrjes, sidomos për prioritetet në infrastrukturë, ku banorët e lokaliteteve përmes këtyre këshillave mund t’i përzgjedhin vetë projektet kapitale për fshatin, vendbanimin e tyre”, ka thënë Rexhep Zeka. “Udhëzimi Administrativ që nga viti 2008 i obligon komunat të hartojnë dhe miratojnë rregulloren për zgjedhjen e këshillave të fshatrave, por fatkeqësisht Komuna e Podujevës deri më tani nuk e ka kaluar në Kuvend këtë rregullore. SDK-ja po ashtu ka më shumë se dy vjet që në forma të ndryshme përmes tryezave dhe kërkesave publike ka kërkuar nga institucionet komunale që kjo rregullore të kalojë në Kuvend”.
Funksionimi i deritanishëm i kryetarëve të fshatrave, sipas Zekës, ka qenë i papranueshëm për secilin qytetar të Komunës së Podujevës.
“Përveçqë ka qenë i politizuar, pra në shumicën e rasteve kryetarë të fshatrave kanë qenë kryetarët e degës së një partie, nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje të kryetarëve, por emërime, dhe emërimet kanë shkuar aq larg, saqë nëse ka ndërruar jetë kryetari i fshatit trashëgimia i ka mbetur djalit të tij si kryetar fshati, kjo vërtet ka qenë dhe është e papranueshme, shto këtu edhe mungesën e transparencës dhe llogaridhënies të kryetarëve të emëruar”, është shprehur ai.
Komuna e Podujevës i ka 77 fshatra, por me Udhëzimin Administrativ që e rregullon këtë çështje, Komuna e Podujevës nuk do të mund të ketë më shumë se 30 këshilla. Përfaqësuesit e shoqërisë civile po e shohin këtë si një sfidë për pushtetin komunal.
“Ajo që mund të krijojë pak telashe është numri i kufizuar i këshillave me Udhëzimin e ri që i detyron disa fshatra të bëhen bashkë në një këshill dhe nuk e lejon secilën lagje apo fshat ta ketë këshillin e vet. Ne shpresojmë të jemi pjesë aktive e Komisionit për zgjedhjen e këtyre këshillave dhe do ta monitorojmë aktivisht secilën fazë të procesit”, ka thënë Shemsi Jashari.
Të njëjtin problem e sheh edhe Rexhep Zeka nga Sundimi i Demokracisë në Kosovës.
“Sfidë do të jetë bashkimi i disa fshatrave në një këshill. UA-ja i obligon komunat që sipas numrit të banorëve të reflektohet në numrin e këshillave, ku Komuna e Podujevës nuk mund të ketë më shumë se 30 këshilla”, ka thënë Zeka.
Në ditën kur është miratuar vënia në diskutim publik e kësaj rregulloreje, LDK-ja ka kërkuar që të shtyhet.
“Kjo ka me pasë telashe në vazhdimësi me pagesën, kemi më shumë se dy fshatra që bashkohen dhe kanë mbetur fshatra që nuk janë paraparë as debate publike. Nuk parashihet as shuma e kompensimit. Ky propozim-vendim të shtyhet se ka me pasë telashe”, ka thënë, ndër të tjera, shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti.
Por votat e VV-së e të PDK-së kanë bërë që kjo propozim-rregullore të vihet në diskutim publik.