Arbëri

Tash e 4 vjet, Komuna e Kaçanikut dështoi ta finalizojë objektin për banim social

Descriptive Text

Kaçanik, 25 prill - Në Kaçanikun e Vjetër, rreth gjashtë kilometra nga qendra e qytetit, komuna ka ndërtuar një objekt për familje skamnore.
Por, që nga viti 2017, megjithëse janë shpenzuar afro gjysmë milioni euro, projekti ende nuk ka përfunduar.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Kaçanik, dhe familje që kanë nevojë për strehim, kanë kërkuar nga kryetari i Komunës ta zgjidhë këtë çështje.

“Në fakt, ekzekutivi i Komunës, më saktësisht kryetari i Komunës, nuk ka vizion për zhvillimin e Komunës nga fakti se bën projekte të fragmentuara në interes të operatorëve ekonomikë apo kompanive dhe jo në interes të qytetarëve. Si rezultat i kësaj keqqeverisjeje, kemi mbetur një ndër komunat më të varfra dhe më të pazhvilluara në vend”, ka thënë Jeton Raka, anëtar i Kryesisë së LVV-së në Kaçanik.

Ky objekt do të ishte më se i mirëseardhur për Shyqeri Belën, që ka mbetur pa strehim.

“Qe dy vjet jam këtu, tash pronari i shtëpisë e ka vendosur në shitje shtëpinë me krejt dhe veç pritet të shitet dhe duhet të largohemi”, ka thënë Bela.

Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se projekti është zvarritur shkaku i mungesës së buxhetit, por është zotuar se shumë shpejt ai do të finalizohet.

“Edhe pse kemi pasur shumë probleme në konteste të procedurave të investimit në atë pjesë, po shpresojmë që këtyre ditëve ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’ua mundësojmë kompanive të cilat janë të përzgjedhura në realizimin dhe përfundimin e këtij projekti ta përfundojnë këtë objekt”, ka thënë Ilazi.

Në këtë komunë janë të regjistruara më shumë se 800 familje me asistencë sociale, ndërkaq në objektin social mund të strehohen vetëm 24 sosh.