Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovës po akuzojnë pushtetin në këtë komunë se nuk i kanë lënë shpenzimet e luksit as gjatë kohës së pandemisë. Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, ka thënë se gjatë vitit 2020 Komuna i ka bërë 1.2 milion euro më shumë se sa në 2019 për këto shpenzime luksi.
“Raporti i shpenzimeve të vitit 2020 edhe përkundër faktit që ishte vit i përballjes me pandeminë
COVID-19, e si pasojë në një pjesë të madhe është punuar vetëm me staf esencial dhe po ashtu ishin të ndaluara udhëtime zyrtare, nuk kishte kushte as për dreka e darka zyrtare, nuk dallon fare nga vitet e kaluara në aspektin e shpenzimeve enorme.
Madje ka edhe më shumë shpenzime se në vitet paraprake, konkretisht mbi 1.2 milionë euro më shumë shpenzime në disa kode ekonomike që ne i konsiderojmë si shpenzime të luksit”, ka thënë Durim Hajra duke iu referuar raportit financiar 2020 për këtë komunë. “Disa nga shpenzimet enorme dhe të pakuptimta vërejmë se janë për udhëtime jashtë vendit 7,013.63 €, për karburant për vetura 63,290.06 €, furnizime me ushqim dhe pije (jo dreka zyrtare) 212,319.69 € , mirëmbajtje dhe riparime të veturave 63,914.78 € , dreka zyrtare 38,352.69 €, dru 129,209.95 €, subvencione për entitete jopublike 536,513.40 €, pagesa për përfitues individual 507,101.21 €, sigurimi i ndërtesave dhe të tjera 33,770.4 €”.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të VV-së thotë se në vend që të uleshin këto shpenzime gjatë kohës së pandemisë, sipas tij, pushteti komunal i ka rritur ato.
“Pra, vijmë në përfundim se këtë udhëheqje komunale nuk i ndalon as pandemia për keqpërdorim të parasë publike, por përkundrazi vetëm sa e kanë rritur dozën e abuzimit me paratë e qytetarëve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka thënë se edhe pse kohë pandemie, shumica e stafit kanë punuar.
"Stafi i QKMF-së dhe inspektorët kanë qenë gjatë gjithë kohës në terren. Po ashtu, stafi tjetër komunal edhe pse ka punuar me staf të reduktuar, shumica kanë dalë në punë. Edhe të hyrat komunale gjatë vitit të kaluar i kemi tejkaluar, që do të thotë se kemi punuar. Këta të Vetëvendosjes çdoherë bëjnë këso akuzash në kohë fushatash", është shprehur Fadil Krasniqi.
Në anën tjetër, sipas një tabele që e ka dërguar këshilltari Hajra, shihet se për mirëmbajtje të veturave në 2020 Komuna ka shpenzuar 63 mijë e 914 euro, ndërsa në 2019 45 mijë e 885, pastaj për shërbime kontraktuese tjera 594 mijë e 744 euro gjatë vitit të kaluar, kurse në 2019 390 mijë e 770, për shpenzime për vendimet e gjykatave në 2020 281 mijë e 174 euro, ndërsa në 2019 31 mijë e 580 euro, për dreka zyrtare 38 mijë e 352 euro në 2020, ndërsa në 2019 43 mijë e 885 euro.