Arbëri

Tahiri: Që nga viti 2020 mbi 300 biznese janë mbyllur në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se masat e fundit për mbyllje kanë goditur edhe më rëndë ekonominë e kësaj komune.

Ai në emisionin SOT në KTV ka thënë se shpreson që pas datës 18 nuk do të ketë më masa të mbylljes por fokusimi do të jetë në sigurimin e vaksinave.

Tahiri ka thënë se si kryetarë të komunave nuk kanë qenë dakord për masat e reja, pasi siç thotë fillimisht ishin njoftuar nga mediat.

“Që nga dita e parë janë kryetarët e komunave që i udhëheqin shtabet komunale dhe të gjitha këto kanë bërë që të jemi me rezerva për masat për mbyllje. Asociacioni i komunave nesër do të ketë një takim ku edhe do të vendoset se si do të veprojmë nga data 18”, ka thënë ai.

Sipas tij, sektorët më të dëmtuar janë ata individual. Ndërkaq për gastronominë ai ka thënë se nuk janë goditur vetëm pronarët por edhe punëtorët.

Tahiri ka thënë se si komunë kanë ndarë 250 mijë euro për 513 biznese.

“Janë vetëm disa biznese që kanë pasur probleme me xhirollogaritë. Në vitin 2020, 60 për qind e familjeve kanë deklaruar se kanë më pak të hyra si rezultat i pandemisë. 330 biznese janë mbyllur në Vushtrri për shkak të pandemisë. Ende nuk po e shohim pasqyrën e saktë të dëmit i cili është shkaktuar. Ende nuk po e kemi një plan të qartë se si do të dalim nga kjo krizë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar kanë marrë masa për të bërë shkurtime tatimore.

Duke folur për vaksinim, ai ka thënë se janë ndarë 500 vaksina për këtë komunë.

Tahiri ka thënë se personalisht nuk është vaksinuar, duke shtuar se ky numër i vaksinave është i pamjaftueshëm.

Sipas tij nuk duhet të refuzohet vaksinimi, duke bërë thirrje që të gjithë të vaksinohen të gjithë kur t’u vije radha.