Kosovë

Podujevës i tepruan 2.5 milionë euro në 2020

Podujevës i tepruan 2.5 milionë euro në 2020
Foto: Ilustrim
 

Pushteti i LDK-së në Podujevë nuk ka arritur të shpenzojë buxhetin komunal në vitin e fundit të qeverisjes në këtë komunë. Ish-qeverisë i kanë tepëruar rreth 2.5 milionë euro. Afër 2 milionë euro janë mjete nga granti qeveriar, që rrjedhimisht i janë kthyer thesarit të shtetit. Ndërsa, më shumë se 600 mijë euro janë nga të hyrat vetjake, të cilat do të barten këtë vit.

Ekzekutivi i tanishëm komunal që udhëhiqet nga Vetëvendosje, e cila e ka marrë pushtetin në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 29 nëntorit të vitit të kaluar, e ka sjellë në Kuvend raportin financiar 2020 për diskutim. Këshilltarët e LDK-së nuk kanë diskutuar rreth shpenzimeve komunale. Ndërsa, vërejtje kanë dhënë ata të LVV-së e PDK-së. Këshilltarja Doruntina Hasani (LVV), ka thënë të jetë e vetëdijshme se nuk e ka përballë ish-pushtetin që ka menaxhuar me këto mjete. Por, sipas saj, vërejtjet i bën me qëllim që qeverisja e tanishme të mos i bëjë gabimet e njëjta.