Arbëri

Fillon vaksinimi i punonjësve shëndetësorë në Podujevë

Vaksinimi kundër COVID-19 ka filluar të mërkurën edhe në Komunën e Podujevës.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Ymer Llugaliu, i ka thënë KOHËS se ditën e parë janë vaksinuar 10 punëtorë shëndetësorë. Ndërkohë që vaksinimi do të vazhdojë edhe ditëve tjera.

“Dje jemi furnizuar me 150 vaksina kundër COVID-19, ndërsa sot kemi startuar me vaksina. Sot janë vaksinuar 10 punëtorë nga stafi shëndetësorë dhe për sot ka përfunduar vaksinimi, por që do të vazhdojë normalisht edhe ditëve tjera. Në ditët në vazhdim presim furnizim shtesë me vaksina, ashtu siç na kanë premtuar. Ne jemi bërë gati më herët, e kemi bërë gati lokacionin, janë trajnuar stafi prej Institutit, një javë ditë kanë qenë në Sallën 1 Tetori 2 mjekë dhe dy infermiere nga QKMF-ja jonë”, ka thënë Ymer Llugaliu.

Sipas tij, QKMF-ja në Podujevë i ka 262 punëtorë shëndetësorë.

Njoftimin për fillimin e vaksinimit e ka bërë publik edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ai nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, ka shkruar se do të jenë në kontakt me institucionet e vendit për të siguruar vaksina tjera.

“Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, sot ka filluar procesi i vaksinimit të personelit shëndetësorë̈. Bashkë me drejtorin e Shëndetësisë, Driton Veliu dhe drejtorin e QKMF-së, Ymer Llugaliu u njoftuam nga afër me procesin e vaksinimit, ku në fazën e parë pritet të vaksionohen 150 pjesëtarë të personelit shëndetësorë. Do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me instancat relevante për të siguruar sa më shumë vaksina sepse, kjo shumë është e pamjaftueshme për t’i vaksinuar vetëm stafin shëndetësorë, ku në komunën tonë janë rreth 250”, ka shkruar Shpejtim Bulliqi.

Kryetari i Komunës ka thënë se në këtë fazë ai nuk do të merr vaksinën anti-COVID.

“Falënderoj stafin e specializuar të QKMF-së për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm. Ata ishin në vijën e parë të frontit gjatë gjithë kësaj kohe dhe ata meritojnë të jenë të parët edhe në vaksinim. Duke e konsideruar prioritet kryesor vaksinimin e tyre, unë nuk do të vaksionohem në këtë periudhë me qëllim që t’u japim përparësi personelit shëndetësorë.

Me këtë rast apelova në radhë të parë stafin shëndetësorë, por edhe qytetarët në përgjithësi që të vaksinohen, sepse kjo është mundësia e vetme që t’i japim fund pandemisë Covid-19”, ka shkruar ai.