Arbëri

S’ka buxhet për ciceron në kompleksin “Zahir Pajaziti”

Ani pse është ndër vendet më të vizituara në Podujevë, vizitorët në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan nuk ka kush t’i mirëpresë. Disa herë është kërkuar angazhimi i një ciceroni, por, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovës, që menaxhon këtë kompleks, kjo del të jetë e pamundur në mungesë buxheti dhe në pamundësi për zgjerimin e stafit

Përfaqësues të organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” (SDK) kanë kërkuar angazhimin e një ciceroni në kompleksin memorial “Zahir Pajaziti”, në fshatin Orllan të Podujevës. Por zyrtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në Kosovës (AMKMK), nën menaxhimin e së cilës është edhe ky kompleks, janë ankuar se tash për tash nuk kanë buxhet për këtë.

Rexhep Zeka nga SDK-ja ka thënë se Kompleksi Memorial në Orllan është ndër vendet më të vizituara në Komunën e Podujevës, mirëpo, sipas tij, vizitorët kthehen të zhgënjyer pasi aty nuk ka kush t’u shpjegojë për veprimtarinë e heroit Pajaziti.

“Kompleksi memorial ‘Zahir Pajaziti’ është ndër vendet më të vizituara në Komunën e Podujevës. Qytetarë të shumtë dëshirojnë që përmes vizitave të tyre të informohen më shumë për veprimtarinë e Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti. Por, të gjithë ata vizitorë brenda dhe jashtë vendit që vizitojnë këtë kompleks kthehen të zhgënjyer, sepse nuk ka të angazhuar asnjë person (ciceron), i cili do t’u shpjegonte vizitorëve për veprimtarinë dhe heroizmin e Zahir Pajazitit, i cili e filloi një luftë, e ajo luftë u kurorëzua me lirinë që ne po e gëzojmë sot”, ka deklaruar Rexhep Zeka.

Sipas tij, SDK-ja disa herë radhazi ka kërkuar nga zyrtarët komunalë të Podujevës që të gjendet një formë dhe mundësi që të kontraktohet një ciceron për kompleksin memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan.

“Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës ne kërkuam një zotim publik nga kandidatët për kryetar të komunës për këtë çështje, mirëpo nuk patëm përgjigje. Ne jemi në dijeni që komplekset memoriale janë nën menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale dhe shumë shpejt do të drejtojmë një kërkesë edhe te kjo agjenci, mirëpo shembull i mirë do të ishte nëse Komuna e merr përsipër angazhimin e një ciceroni për kompleksin memorial ‘Zahir Pajaziti’”, ka thënë ai.

Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka theksuar se kompleksi memorial “Kulla e Zahir Pajazitit” menaxhohet nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe se, sipas tij, gjithçka që ka të bëjë me atë kompleks është në kompetencën e kësaj agjencie.

Në anën tjetër, drejtori i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në këtë Agjenci, Adnan Elshani, ka thënë se për çdo vit bëjnë kërkesë në Qeveri për punëtorë të rinj, por që deri tash kjo nuk u është lejuar.

“Lidhur me pyetjen e juaj, ju themi se AMKMK ka mungesë të stafit dhe çdo vit bën kërkesë për punësimin e punëtorëve të rinj në Qeveri – MF. Në mesin e kërkesës për punëtorët e rinj është edhe kërkesa për punësimin e disa ciceronëve e që kërkesa për ciceron është paraparë edhe për kompleksin memorial ‘Zahir Pajaziti’ në Orllan – Podujevë”, është shprehur Adnan Elshani. “Pra, deri më sot në mungesë të lejimit të punësimit të stafit të ri dhe njëkohësisht mosrritjes së buxhetit për paga e mëditje na është pamundësuar një gjë e tillë. Pra, në të ardhmen parashihet të angazhojmë ciceron”.